Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në “Express Intervistën” në KTV ka deklaruar se nuk e di se çfarë përmban marrëveshja konfidenciale ndërmjet menaxhmentit të Telekomit dhe kompanisë “Artillery One” e interesuar për privatizimin e Telekomit.
Raportohet se përmes kësaj marrëveshje i është ofruar kësaj kompanie qasje në të dhënat e Telekomit.
“Nuk e dimë përmbajtjen e asaj marrëveshje. Është nënshkruar marrëveshja përmes menaxhmentit, e nuk mund të futemi në deklarata nëse ka bërë shkelje apo jo. Ne do të kërkojmë një raport, sipas këtij portali flitet për qasjen në të dhëna që në të ardhmen ajo të konkurrojë për privatizimin e Telekomit”, ka thënë Lluka.
Ai tregon se oferta e kësaj kompanie drejtuar MZHE-së për qasje në të dhënat e Telekomit ishte refuzuar.
“Nuk është detyra ime që të filtrojë kompanitë. Në këtë tast në takim ata kanë kërkuar informacionin për investimin potencial në Telekom. Në momentin që është përfunduar takimi, është ardhur një shprehje interesi nga ana e kësaj kompanie që ka kërkuar qasje ekskluzive për gjashtë muaj dhe kjo kërkesë është refuzuar. U kemi thënë se përveç të dhënave publike s’mund të japim të dhëna të tjera”, u shpreh Lluka.
Ai shton se edhe kompanive të tjera të interesuara iu kanë thënë se do t’i informojnë përmes procedurave të mëtutjeshme.
Lluka insiston se nuk e di përmbajtjen e marrëveshjes megjithatë për një gjë të tillë thotë se ka kërkuar llogari nga bordi dhe menaxhmenti i Telekomit.
“Nuk kemi informata se çfarë ka ndodh, e për ne është e rëndësishme se procedurat nga ana jonë janë ndjekur. Nuk kam asnjë koment dhe nuk e di përmbajtjen e marrëveshjes, por për çdo gjë do të kërkojmë llogari nga bordi e nga menaxhmenti”, tha Lluka.
Sipas tij privatizimi është e vetmja formë për ta shpëtuar Telekomin.
“Por, para se ta bëjmë këtë duam që ta ristrukturojmë që t’ia rrisim vlerën. 25 milionë euro do të investohen në teknologji”, ka thënë Lluka, që sipas tij ka një mundësi që të mos ndodh privatizimi i Telekomit.
“Nuk është e domosdoshme që të shkohet në privatizim. Nëse ofertat nuk janë të mira atëherë do të tërhiqemi nga ideja e privatizimit”, u shpreh ai.
Më tutje ai ka folur edhe për punësimet që janë bërë së fundmi në Telekom.
“Kam kërkuar llogaridhënie që të shohim se pse po bëhen gjithë këto punësime. Tash po presim një raport për të justifikuar këto punësime, dhe a përshtatet me planin e bordit këto punësime. Justifikimi, akoma nuk e kam marrë zyrtar, ka qenë se është bërë në hapjen e pikave të reja të shitjes. Nëse koha tregon se nëse kjo ka ndikuar në rritjen e të hyrave të Telekomit atëherë do të jetë gjithçka në rregull”, u shpreh ai.
Ai ka shtuar se, “ne si Qeveri jemi përgjegjës vetëm për pronësinë, e jo për operimet ditore për ndërmarrjet publike. Ligji i ri parasheh krijimin e një agjencie me një peshë më të madhe në ndërmarrjet publike”.