Arbëri

Shqyrtohet platforma për dialogun në Komisionin për Punë të Jashtme

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, do të mbajë mbledhjen e radhës, ku ndër të tjera do të shqyrtohet edhe platforma për dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, në intervistën e Javës në Koha.net tha se sot, e hënë, në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, që e drejton ajo, do të shqyrtohet edhe projektligji për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, e cila shumë shpejt pritet të votohet nga deputetët, e që LDK-ja, nuk do ta votojë.

“Në parim, problemin kryesor e kemi me Ekipin që veten e quan Delegacion shtetëror, por siç thuhet edhe në letrën e shkruar nga Federica Mogherini e Johannes Hahn, ky është vetëm një ekip mbështetës i Hashim Thaçit. Ky ekip nuk ka legjitimitet prej 2/3 në Kuvendin e Kosovës dhe është i papranueshëm. Nëse nuk e pranojmë këtë ekip si të tillë, do të ishte absurde t’i pranonim dokumentet që i prodhojnë. Ne si LDK kërkojmë që dialogu të vazhdojë mbi parimin shtet me shtet e jo dialog mes Prishtinës e Beogradit ku trajtimi i pabarabartë në raport me Kosovën ka qenë vazhdimisht. Jo një dialog ku Kosova implementon mbi 90 për qind të marrëveshjeve e Serbia jo. Kërkojmë një dialog ku jemi të barabartë dhe synimi themelor është që njohja reciproke të ndodhë në kufijtë aktual”, tha ajo.