Arbëri

Dyshimet për keqpërdorim grantesh në MBPZH nxisin debat të nxehtë në Komision

Në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor sërish është zhvilluar një debat i nxehtë për mosraportimin e Ministrisë së Bujqësisë lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e miliona eurove për grante.

Anëtari i Komisionit, Sali Zyba, ka kërkuar që të raportohet nga ana e Ministrisë së Bujqësisë për disa keqpërdorime të mundshme me grante, në të kundërtën nuk do të merr pjesë në Komision.

“Kjo çështje është politike dhe nuk është teknike. Është një lojë për mungesë të raportimit në Komision. Sepse po bëhet fjalë për miliona euro”, theksoi Zyba.

Edhe Besa Gaxherri ka thënë se është e papranueshme që nuk po raporton zëvendësministri i Bujqësisë, duke pasur parasysh lirimin nga detyra të ministrit Nenad Rikallo nga kryeministri, transmeton kp. 

“Çdo ministri ka nga tre- katër zëvendësministra dhe nuk ndihen të obliguar të raportojnë. Kjo është e patolerueshme”, tha ajo.

Ndërsa kryetari i Komisionit, Muharrem Nitaj, ka thënë se Komisioni duhet të ftojë kryeministrin për raportim lidhur me çështjen e granteve, ose të caktojë dikë nga zëvendësministrat për raportim lidhur me grantet.

Deputeti, Andin Hoti, ka thënë se përgjegjëse për grante është Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë e jo zëvendësministri i Bujqësisë.

Ganimete Musliu anëtare, tha se meqë janë tre zëvendësministra në Ministri të Bujqësisë, duhet të ftohen të gjithë, ngase nuk ka zëvendësministër të parë ose ushtrues detyre.

Ndërsa, pas këtij debati për raportimin e granteve, Zyba kërkoi që kjo mbledhje të shtyhet deri sa të raportohet nga ana e zyrtarëve të ministrisë së Bujqësisë, por nuk e mori përkrahjen e anëtarëve të tjerë, për çka ndikoi në lëshimin e mbledhjes nga Zyba.

Komisioni ka miratuar në parim projektligjin për pijet e forta alkoolike. Po ashtu Komisioni ka miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-247.