Osmani: Maqedonia e Veriut i fillon negociatat për anëtarësim në BE këtë vit

Osmani: Maqedonia e Veriut i fillon negociatat për anëtarësim në BE këtë vit

20 February 2019 15:47

Zëvendëskryetari i Qeverisë së Maqedonisë Veriore për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës dyditore në Bruksel, mbajti takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, në të cilën u hapën temat për procesin e zgjerimit të Unionit, si dhe perspektivat e Republikës së Maqedonisë së Veriut para raportit të ardhshëm të Komisionit, si dhe mbledhjet e qershorit të Këshillit të BE-së.

“Krahas Marrëveshjes së Prespës kishim sukses të madh edhe në arritjen e Marrëveshjes historike për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, si dhe konsensus thelbësor për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, me çka i shmangëm gjitha çështjet e mëdha politike të brendshme dhe të jashtme”, theksoi Osmani, duke e potencuar perspektivën evropiane si oksigjen thelbësor për këtë sukses, për të cilën qartë nënvizohet fuqia e idesë evropiane për transformim pozitiv të shoqërive.

“Republika e Maqedonisë së Veriut nuk ka më çështje të hapura politike, dhe përsëri e merr vendin qendror në Ballkan si partner kryesor i BE-së dhe NATO-s në promovimin e vlerave demokratike dhe perëndimore në rajon”, tha Osmani, duke ia përcjell Mogherinit pritjet e mëdha të vendit për progres në integrime evropiane këtë vit.

“Fillimi i negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut këtë vit, krahas fuqizimit të momentumit evropian të vendit, do të jetë edhe sinjal i qartë për gjithë rajonin – si shembull pozitiv dhe motivim për mbylljen e çështjeve të hapura përmes dialogut, hapje politike dhe qasje pozitive”, shtoi Osmani, duke e potencuar dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si një ndër sfidat më të rëndësishme politike në rajon.

Gjatë vizitës së punës në Bruksel, Zëvendëskryeministri Osmani mbajti takim edhe me Eurokomisionerin për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johanes Han, si dhe mbajti brifing me përfaqësuesit e grupit punues në Këshillin e BE-së për Ballkanin Perëndimor/ Zgjerim (KOVEB/KOELA), ndërkaq do të merr pjesë edhe në brifingun më me ndikim think-tank Qendër për Politikë Evropiane (EPC) në temë “Maqedonia e Veriut në rrugën drejt BE-së: “Houm ran” në negociata për aderim?” si dhe në konferencë në temë: Siguria në EJL – siguri nëpër Evropë” nën organizim të fondacionit Hans Sejdel (Hanns Seidel Foundation).

Pas mbarimit të vizitës së punës në Bruksel, Zëvendëskryeministri Osmani do të udhëtojë në Vjenë, ku do të merr pjesë në takimin e ministrave për Çështje Evropiane nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që mbahet nën ombrellën e Ministrit Federal për Çështje Evropiane të Austrisë në zyrën e Kancelarit Federal, Gernot Blumel.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme