Walker: Marrëdhëniet me SHBA-në janë zbehur Reçak, 1999. Foto: Alban Bujari / KOHA

Walker: Marrëdhëniet me SHBA-në janë zbehur

18 February 2019 14:56

“Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të forta. 20 vjet më parë secili në Amerikë dinte diçka për Kosovën dhe secili këtu e donte Amerikën. Për të dyja anët kjo është zbehur”, thotë diplomati amerikan, William Walker.

Në një intervistë për KosovaPress, ai thotë se duhet të rikthehet interesi i Amerikës për Kosovën, e sa i përket kësaj ai tha se ndjehet i zhgënjyer.

Njëzet vjet më parë ai i kishte rrëfyer botës për masakrën e Reçakut. Ngjarje kjo nga më të përgjakshmet në Kosovë.

E njëzet vjet pas, ish-shefi i Misionit vëzhgues të OSBE-së, William Walker, thotë se e ka shumë të freskët pamjen e tmerrshme të Kosovës.

Në 11 vjetorin e Pavarësisë së saj, ai bën lutje që të gjithë të punojnë për të. Thotë se nuk i pëlqen të dëgjojë teksa rinia nuk po qëndron në Kosovë.

“Mesazhi im për Kosovën është ta mbajë ritmin. Bëni atë që mendoni që është më e mira për Kosovë. Provoni të mbani rininë të cilën e edukoni këtu. Mos i leni të shkojnë në Gjermani, në Francë. Për tu dukur edhe më mirë, Kosova ka nevojë për punën e të gjithëve për të arritur atë. Nuk më pëlqen të dëgjoj si kosovarët ikin në Gjermani, Britani të Madhe e SHBA. Mesazhi im është: rrini këtu, punoni për Kosovën. Çdo herë po bëhet më mirë dhe të gjithë duhet të jemi optimistë”, tha ai.

Pas rrëfimit të Walker në komunitetin ndërkombëtarë për masakrën e Reçakut, ajo është njohur si një nga ngjarjet kryesore, që ka shënuar një kthesë të madhe qysh në atë kohë, në diplomacinë ndërkombëtar. Kthesë kjo në raport me Serbinë e asaj kohe dhe Kosovën, duke i paraprirë të gjitha tyre çfarë ndodhën, që çuan deri tek fushata 78 ditore e bombardimeve ajrore të NATO-s.

E përkrahje të njëjtë, 20 vjet pas Kosova nuk po gjen nga ndërkombëtarët.

Diplomati amerikan, thotë se marrëdhëniet aktuale me SHBA-në nuk janë shumë të forta, për të cilën thotë se është i zhgënjyer.

“Marrëdhëniet janë mirë, por nuk janë shumë të forta. 20 vjet më parë secili në Amerikë dinte diçka për Kosovën dhe secili këtu e donte Amerikën. Për të dyja anët kjo është zbehur paksa dhe mendoj qe shteti im (Amerika) nuk po bënë gjithë atë që mundet për të ndihmuar Kosovën, miqtë tanë në Kosovë. Marrëdhënia është e mirë, nuk ka probleme të mëdha përveç harresës. Duhet të shpresojmë që të përmirësohet siç duhet. Jam paksa i zhgënjyer, por do të bëhet mirë”, thotë Walker.

Walker thotë se do të punojë që të rindezët interesi i Amerikës për Kosovën.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme