Arbëri

Haradinaj: Kosova aleati më besnik i Amerikës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova është aleati më besnik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai sot ka takuar një delegacion të senatorëve dhe kongresistëve amerikanë të udhëhequr nga senatori James Inhofe dhe i shoqëruar nga ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

“Amerika është lidhja më e rëndësishme e Kosovës. Ne jemi përgjithmonë të rreshtuar krah Amerikës dhe jemi aleatët më besnikë të saj“, ka deklaruar Haradinaj. Në njoftimin e qeverisë thuhet se Haradinaj po ashtu ka shprehur falënderim për mbështetjen e SHBA-së në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova e veçmas tani në këtë fazë të rëndësishme të përmbylljes së shumë temave të rëndësishme për vendin.

Sa i përket çështjes së dialogut, Haradinaj tha se Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe për partneritet të qëndrueshëm me vendet aleate e miqësi me SHBA-në.

“Kosova është e përkushtuar për dialog, për fqinjësi të mirë dhe për partneritet të qëndrueshëm me vendet aleate dhe miqësi të përhershme me ShBA-në. Mbi këto vlera është ndërtuar edhe shteti ynë dhe mbi këto vlera do të qëndrojmë gjithmonë“, ka thënë Haradinaj duke kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të ShBA-së.

Në anën tjetër, Inhofe është shprehur i nderuar që ka udhëhequr delegacionin amerikan në Kosovë.

“Kosova është një partner i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara dhe mbështetja jonë do të vazhdojë”, ka thënë Inhofe.

Haradinaj kohëve të fundit po refuzon të heqë taksën ndaj mallrave serbe pavarësisht kërkesës së vazhdueshme nga SHBA-ja. Kjo e fundit madje ka ndërmarrë disa masa sanksionuese për këtë refuzim, përfshirë anulimin e vizitës së Komandantit të Gardës Kombëtare të Iowas, Timothy Orr, në Kosovë e edhe refuzimin e vizës për Haradinajn që të shkojë për Lutjet e Mëngjesit.