Arbëri

Deputeti i Parlamentit të BE-së: Procesi i BREXIT-it nuk zbeh mbështetjen ndaj Kosovës

Grupi i Miqësisë Kosovë - Mbretëri e Bashkuar në Kuvendin e Kosovës, ka pritur sot në takim deputetët britanikë, Martin Vickers dhe John Grogan, anëtarë të Grupit të Miqësisë me Kosovën në Parlamentin Britanik, të cilët po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të shënimit të 11-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, së bashku me një grup afaristësh shqiptaro-britanikë.

Në emër të Grupit të Miqësisë në Kuvendin e Kosovës, deputetja Vjosa Osmani, kryetare e këtij grupi, falënderoi parlamentarët britanikë për vizitën e tyre në Kosovë dhe bashkimin në kremten e përvjetorit të pavarësisë.

Ajo tha se Britania e Madhe vazhdon të mbetet një prej shteteve më të mëdha mbështetëse të Kosovës në rrugën e zhvillimit të saj dhe të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar, ndërsa theksoi nevojën bashkëpunimi midis dy vendeve të forcohet më tej në fushën ekonomike.

Ajo tha se afaristët nga Kosova që veprojnë në Britani, janë një resurs shumë i rëndësishëm për Kosovën.

“Kosova ka shumë miq në Britaninë e madhe dhe mbështetja juaj për vendin tonë vazhdon të mbetet e pazëvendësueshme. Është jetike për ne që të mbesim në kontakt me diasporën tonë në Britani”, theksoi ndër të tjera Osmani, njofton zyra për informim e Kuvendit përmes një komunikate për media.

Edhe anëtarët e tjerë të grupit: Memli Krasniqi, Xhavit Haliti, Korab Sejdiu, Fitore Pacolli, Xhelal Sveçla, Sala Berisha-Shala, u fokusuan te nevoja për një prezencë më të madhe të investitorëve britanikë në vendin tonë, si një nga mundësitë për zhvillim më të shpejt ekonomik të tij.

U vlerësua se është e rëndësishme të gjenden forma për promovimin e infrastrukturën ligjore që ka ndërtuar në Kosova në fushën e investimeve.

Deputeti i Parlamentit të Britanisë së Madhe, Martin Vickers, nga ana e tij, tha se ndihet i nderuar që gjendet në Kosovë në përvjetorin e saj të pavarësisë, ndërsa konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e vendit të tij për Kosovën. Ai tha se procesi i largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian nuk e zbeh aspak këtë mbështetje.

Parlamentarët e të dyja vendeve u pajtuan që të intensifikojnë takimet në të ardhmen, në funksion të një bashkëpunimi më intensiv midis dy institucioneve legjislative.