Norvegjia vazhdon mbështetjen për Kosovën, kryeministrja uron Pavarësinë

Norvegjia vazhdon mbështetjen për Kosovën, kryeministrja uron Pavarësinë

16 February 2019 15:37

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih të Gjermanisë, ka zhvilluar një takim edhe me Kryeministren e Norvegjisë, Erna Solberg.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar kryeministren Solberg për mbështetjen që Norvegjia i ka dhënë Kosovës në periudhën e lirisë, pavarësisë, forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe zhvillimit ekonomik.

“Nesër shënojmë 11 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Falë mbështetjes së Norvegjisë dhe partnerëve tjerë strategjikë, ne kemi arritur të fitojmë lirinë dhe pavarësinë. Do jemi gjithmonë mirënjohës për mbështetjen që keni dhënë edhe në periudhën e shtetndërtimit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në anën tjetër, Kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg, ka uruar Kosovën për 11 Vjetorin e Pavarësisë, duke ofruar vazhdimin e mbështetjes së Norvegjisë.

Në këtë takim është diskutuar edhe për domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme.

Presidenti Thaçi në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih ka zhvilluar takime të shumta edhe me përfaqësues të shteteve të ndryshme të botës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme