Haradinaj në Munich për të diskutuar agjendën euroatlantike të Kosovës

Haradinaj në Munich për të diskutuar agjendën euroatlantike të Kosovës

15 February 2019 15:23

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, po merr pjesë në konferencën vjetore më të madhe të sigurisë në botë, që po mbahet në Munich të Gjermanisë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Në kuadër të kësaj konference, të nivelit të lartë që mbledhë protagonistë kryesorë rajonalë, krerë shtetesh dhe të organizatave ndërkombëtare, ministra, deputetë, gazetarë, do të diskutohen nga pjesëmarrësit, çështjet rajonale dhe globale të sigurisë”, thuhet në komunikatë.

Njëkohësisht, thuhet më tutje, në margjinat e kësaj konference dhe në kuadër të takimeve bilaterale kryeministri Haradinaj do të flasë për agjendën euroatlantike të Kosovës, progresin e arritur në fushën e sigurisë dhe luftimit të terrorizmit, të arriturat në sundimin e rendit dhe ligjit dhe do të vërë theks të veçantë, sfidat që po kalon Kosova, konsolidimin ndërkombëtar të vendit, progresin e arritur dhe rrugën euro- atlantike të Kosovës.

“Kosova ka shënuar progres të madh në fushën e sigurisë, duke konsoliduar gjithë infrastrukturën ligjore dhe resurset humane, për të qenë në krah me vendet demokratike, në mision ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe botë. Përkushtimi institucional do të vazhdojë, duke fuqizuar partneritetin tonë me akterët më të rëndësishëm të sigurisë në botë. Konferenca e sotme është rast i mirë, për ta shpalosur përkushtimin e Kosovës në gatishmëri dhe kontributdhënie për forcimin e paqes rajonale dhe globale, së bashku me partnerët tonë strategjik”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Çdo shkurt, në këtë konferencë të Sigurisë mblidhen së bashku më shumë se 450 vendimmarrës të lartë nga e gjithë bota për t'u angazhuar në një debat intensiv për sfidat aktuale dhe të ardhshme.

Në Konferencën e Sigurisë të 55 me radhë, e cila fillon më 15 shkurt dhe do të zgjasë deri më 17 shkurt, ekspertë nga e gjithë bota do të diskutojnë edhe mbi të ardhmen e kontrollit të armëve dhe bashkëpunimit në politikën e mbrojtjes si dhe risitë teknologjike në sigurinë ndërkombëtare.

Krahas pjesëmarrjes në konferencë, kryeministri Haradinaj do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale, në fokus agjendën euro-atlantike të vendit, tërheqjen e investimeve të huaja në vend, njohjet e reja dhe tema të tjera të rëndësishme për vendin.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme