Arbëri

Selimi: Të bëhet bashkimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, por me Kosovën e bashkuar

Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë për media në lidhje me të drejtat e shkelura të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ku foli anëtari i Kryesisë dhe deputeti Rexhep Selimi. Ai tha se gjendja e shqiptarëve në Kosovën Lindore mbetet e nderë, pa zgjidhje dhe shumë herë e manipuluar nga forcat politike shqiptare.

“Të gjithë mekanizmat diplomatikë të Kosovës dhe Shqipërisë janë pezulluar nga revanshi i Thaçit dhe nuk po merren me kritikat zyrtare ndaj Serbisë për kapitujt 23 dhe 24 kushtëzuar nga BE-ja, që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, të drejtat e pakicave kombëtare dhe krimet e luftës. Po ashtu, këtu nuk përjashtohet edhe kapitulli 35, që ka të bëjë me Kosovën. Ndërkohë, aktualisht Serbia vepron në mënyrë të organizuar drejt zmbrapsjes së heshtur të luginës së Preshevës nga shqiptarët. Në këtë vit po bëhen 20 vite prej masakrave që shteti serb ka kryer anekënd Kosovës dhe nuk gjendet aktualisht asnjë i dënuar apo i hetuar për krime lufte lidhur me këto masakra. Edhe një që ishte për rastin e krimeve në Podujevë u lirua pa përfunduar dënimin vitin që shkoi nga gjykata”, tha ai.

Deputeti Selimi kujtoi edhe vizitën e Ramës në Preshevë para disa vitesh për të vënë në pah faktin se personat që kishin ngritur flamujt kombëtar shqiptar gjatë vizitës ishin arrestuar menjëherë pas largimit të Kryeministrit të Shqipërisë, duke qenë se flamujt kombëtarë shqiptarë janë të ndaluar në këtë rajon. Ai tha se qasja e Serbisë nuk ka ndryshuar as ndaj krimeve kundra Kosovës as ndaj shtypjes mbi shqiptarët e luginës.

Selimi përsëriti qëndrimin e Lëvizjes për Kosovën Lindore duke thënë se, “nuk duhet të harrojmë se atje ka ndodhur një referendum në vitin 1992 dhe ai referendum do të duhej të respektohej dhe të ishte bazë për të avancuar të drejtat e tyre deri në të drejtën për bashkimin me Kosovën. Po ashtu, ka pasur një deklaratë të udhëheqësve politik shqiptarë të këtyre komunave në vitin 2006 në të njëjtën frymë dhe për të njëjtën gjë si referendumi i vitit 1992. Pra, çfarë duhet të ndodhë? Po, duhet të ndodhë bashkimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, por me Kosovën e bashkuar. Pra, bashkimi i tyre nuk do të duhej ta kishte çmimin e ndarjes së Kosovës, por një Kosovë e bashkuar do të duhej të ishte mikpritësja e bashkimi edhe të atyre tri komunave shqiptare si rrugë dhe hap i domosdoshëm drejt bashkimit kombëtar”.

“Ky nuk është momenti që shqiptarët të bëjnë lëshime nga rruga e tyre e drejtë, por ta shfrytëzojnë faktin se e kemi në dorë procesin e integrimit të Serbisë në BE. Kjo mundësi duhet shfrytëzuar për ta kushtëzuar Serbinë dhe për ta ndërkombëtarizuar çështjen e shqiptarëve të Luginës. Integrimi i Serbisë në BE duhet të kushtëzohet të drejtat e shqiptarëve të Luginës dhe jo të manipulohen shqiptarët e asaj ane që Serbia të integrohet”, tha ai.

Ju e keni pranuar kete e-mail, sepse e-mail adresa juaj eshte ne mail-listen tone. Ne rast se ne te ardhmen nuk deshironi te pranoni e-mail nga ne, lu lutem KLIKONI KETU.

Attachments area