Krerët e Kosovës ngushëllojnë familjet e viktimave në Maqedoninë Veriore

LDK-ja e tronditur me aksidentin në Maqedoninë Veriore

13 February 2019 21:19
22:14

LDK-ja ka shprehur ngushëllimet për tragjedinë që ka ndodhur sot në Maqedoninë Veriore ku humbën jetën 13 persona në aksident trafiku.

Me rastin e aksidentit tragjik që ndodhi në rrugën Shkup-Tetovë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dërgon këtë telegram ngushëllimi:

I tronditur, me dhimbje të thellë mora lajmin për aksidentin tragjik që ka ndodhur në rrugën Shkup-Tetovë, në të cilën humbën jetën dhe u lënduan shumë persona.

Të gjithë qytetarëve dhe familjarëve ju shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta dhe të LDK-së për humbjen e më të dashurve të tyre, ndërsa të lënduarve ju uroj shërim të shpejt.

22:03

Vetëvendosje shpreh ngushëllimet për familjarët e viktimave në Maqedoninë Veriore

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave nga aksidenti që ka ndodhur sot në Maqedoninë Veriore.

Raportohet se 13 persona kanë vdekur e rreth 40 të tjerë janë lënduar nga aksidenti që ka ndodhur sot në autostradën Shkup – Tetovë, transmeton Koha.net.

“Është tronditës lajmi për aksidentin e rëndë që ka ndodhur në autostradën Shkup-Tetovë, ku raportohet se deri më tani trembëdhjetë persona kanë humbur jetën, kurse shumë të tjerë kanë mbetur të lënduar. Të prekur nga kjo tragjedi njerëzore, humbje e madhe për familjarët që ka prekur opinion e gjerë, Lëvizja Vetëvendosje u shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve dhe të afërmeve të atyre që kanë humbur jetën në këtë aksident. Ndërsa, për të gjithë të lënduarit urojmë të marrin trajtimin e nevojshëm dhe të shërohen sa më parë”, thotë Vetëvendosje përmes një komunikate për media.

21:19

Krerët e Kosovës ngushëllojnë familjet e viktimave në Maqedoninë Veriore

Krerët e shtetit të Kosovës kanë ngushëlluar familjet e viktimave nga aksidenti që ka ndodhur sot në Maqedoninë Veriore.

13 persona kanë vdekur e rreth 40 të tjerë kanë pësuar lëndime pasi një autobus kishte dalë nga autostrada Shkup – Tetovë, transmeton Koha.net.

Presidenti Hashim Thaçi në një postim në Facebook ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave derisa u ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve.

“Ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave të aksidentit në autostradën Shkup-Tetovë, ndërsa të lënduarve iu uroj shërim sa më të shpejtë dhe të plotë. Iu shpreh ngushëllime edhe udhëheqësve të institucioneve, si dhe tërë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Thaçi.

Shkon në 13 numri i viktimave në Maqedoninë Veriore, 40 të lënduar

E edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është tronditur nga ky aksident me fatalitet.

“I tronditur nga aksidenti me fatalitet në autostradën Shkup-Tetovë. Një tragjedi që po prekë shumë familje, me dhjetëra të lënduar e për fat të keq shumë të vdekur. Ngushëllime të sinqerta për familjet që humbën më të dashurit e tyre dhe shërim sa më të shpejtë për të lënduarit”, ka shkruar Haradinaj.

Kurse kryeparlamentari, Kadri Veseli ka shkruar, “I pikëllueshëm lajmi për aksidentin e rëndë që ndodhi sot në afërsi të Tetovës. Në emër timin dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave të kësaj tragjedie dhe shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve”.

Edhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli ka shprehur ngushëllimet e tij për viktimat.

“Duke ndjekur me vëmendje situatën e aksidentit tragjik sonte në autostradën Shkup-Tetovë, në fshatin Llaskarcë. Lutem për të lënduarit, dhe i shprehi ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve të viktimave”, ka shkruar Pacolli.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme