Arbëri

MASHT-i çon një “batalion” me rreth 200 zyrtarë e ekspertë për një javë në Durrës

Foto: Koha / ilustrim

Mijëra euro është duke shpenzuar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për vlerësimin e dorëshkrimeve të teksteve të reja shkollore, që pritet të nxirren në shtator.

Kjo ministri ka zgjedhur që procesi i vlerësimit të teksteve të reja të kryhet në “Hotel Bonita” në Durrës të Shqipërisë.

Burime të Kohës Ditore, brenda MASHT-it, kanë thënë se Ministria ka dërguar afro 200 persona për t’u marrë me këtë proces dhe se shuma e shpenzimeve vetëm për akomodim është mbi 60 mijë euro.

Në anën tjetër, menaxherja e hotel “Bonita”, Mirjeta Ismaili, ka dhënë shifër më të ulët, duke thënë se aktualisht aty janë të vendosur diku 105 persona. Po ashtu, ajo ka bërë të ditur se MASHT-i do të paguajë 60 euro për akomodimin e një personi vetëm për një ditë.

Të angazhuarit në këtë proces pritet të qëndrojnë në këtë hotel 8 ditë.

Ministria e Arsimit nuk ka treguar për numrin e saktë të atyre që kanë shkuar për të marrë pjesë në vlerësimin e teksteve shkollore, dhe nuk është përgjigjur përse vlerësimi i teksteve nuk është bërë në Kosovë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)