Kuvendi komunal i Drenasit del me deklaratë të përbashkët për rastin e keqpërdorimit seksual

Kuvendi komunal i Drenasit del me deklaratë të përbashkët për rastin e keqpërdorimit seksual

08 February 2019 21:23

Kuvendi komunal i Drenasit të premten pasdite ka mbajtur mbledhje urgjente të thirrur nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Labinot Halilaj, ku është diskutuar rreth dyshimeve për ngacmim dhe abuzim seksual ndaj të miturës.

Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, para asamblistëve ka sqaruar rastin dhe masat të cilat i ka marr Komuna lidhur me rastin e fundit.

“Sikurse të gjithë qytetarët e Komunës së Drenasit dhe të Kosovës, edhe mua me ka shqetësuar jashtë mase kjo ngjarje. Dua të ju informoj se Komuna i ka marrë të gjitha veprimet me kohë ndaj mësimdhënësit Sh.Xh, i cili dyshohet për keqpërdorim seksual ndaj të miturës. Me të marrë lajmin në media se është arrestuar një hetues në Stacionin Policor në Drenas, dhe se ky rast lidhet me mësimdhënësin Sh.Xh, menjëherë duke respektuar legjislacionin në fuqi, DKA-ja e ka ripezulluar nga puna mësimdhënësin i cili tashmë është arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës”, ka thënë nder të tjera Lladrovci, dhe ka ftuar edhe njëherë organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me profesionalizëm të lartë dhe përkushtim, në mënyrë që secili person i implikuar të marrë dënimin e merituar.

Pas përfundimit të mbledhjes urgjente, grupet e të gjitha partive politike të Kuvendit, PDK-së, NISMA-s, Vizioni për Drenasin, LVV-ja, AAK-ja, Iniciativa Qytetare për Drenasin, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët.

“Si përfaqësues të zgjedhur nga vota e lirë e qytetarëve të Komunës së Drenasit, nëpërmjet kësaj deklarate shprehim indinjatën e thellë ndaj këtij rasti të dyshuar për ngacmim dhe abuzim seksual të të miturës 16 vjeçare nga qyteti ynë. Kuvendi Komunal në Drenas kërkon nga organet e drejtësisë të kryejnë punën e tyre me profesionalizëm të lartë dhe kryesit e veprës të marrin dënimin e merituar. Kuvendi Komunal në Drenas kërkon që të rritet përgjegjësia në institucionet shkollore që të merren masa preventive për parandalimin dhe evitimin e rasteve të tilla që mos të ndodhin më. Duke shpresuar që rastet e tilla të mos përsëriten më, dënojmë ashpër edhe një herë rastin e ngacmimit dhe abuzimit më të miturën në komunën tonë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Drenasit. ​

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme