Detaje të reja, Prokurori përshkruan para gjykatës rastin në Drenas Foto: Alban Bujari / Koha Ditore

Detaje të reja, Prokurori përshkruan para gjykatës rastin në Drenas

Dardane Neziri Dardane Neziri 08 February 2019 14:51

Në dhomën numër 5 të një moteli në Suharekë, sipas prokurorisë kishte ndodhur kontakti i parë seksual mes policit V.V. dhe vajzës, e cila atëherë ka qenë nën 18 vjeç. Ky kontakt, sipas prokurorisë kishte ndodhur pa dëshirën e saj.

“Pas këtij rasti, ka vazhduar lidhja e tyre edhe në të shumtën e rasteve kanë dalë në të njëjtin motel. Sipas të dëmtuarës, tri herë kanë qenë dhe kanë vizituar disa qytete në Shqipëri, si Tirana, Potoku, Kalaja e Rozafës dhe Elbasanit, ku edhe atje sipas të dëmtuarës, ka pasur marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj”, thuhet në vendimin e gjykatës, të siguruar nga “Koha Ditore”, në momentin kur është vendosur rreth paraburgimit të të dyshuarit, V,V.

Prokurori i këtij rasti, Ruhan Saliu, sipas vendimit ka deklaruar para gjykatës se të gjitha takimet, e dëmtuara i ka pasur nën kërcënim.

“Kur në fillim të muajit janar, viktima i ka thënë V.V. se po dyshon që ka mbetur shtatzënë, me datën 12 janar, ai bashkë me të dëmtuarën kanë shkruar në ordinancën ‘Cerstina’ tek doktori Fehmi Ahmeti dhe pas kontrollit aty është konstatuar se është shtatzënë. Prej këtij momenti, i dyshuari ka filluar të bëjë trysni dhe presion mbi viktimën, që ajo sa më parë ta ndërpresë shtatzëninë, duke i thënë se ‘nëse nuk e ndërpren, do të vjerë në konop’. Me datën 15 janar, e ka ndërprerë shtatzëninë 10 javësh”, thuhet në vendim.

Prokurori Saliu, ka kërkuar nga gjykata masën e paraburgimit, duke pretenduar se i dyshuari mund të arratiset.

“I dyshuari mund të arratiset, të ndikojë në të dëmtuarën dhe familjarët e saj, pastaj edhe në dëshmitarët e mundshëm që janë në rast, të cilët as ata dhe as e dëmtuara ende nuk janë intervistuar në prokurori rreth këtij rasti. Si arsye tjetër për caktimin e masës së paraburgimit është edhe pesha e këtij rasti dhe mënyra e kryerjës së veprave penale, por edhe jehona e madhe mediatike, që është bërë në opinion lidhur me këtë rast”, ka deklaruar prokurori para gjykatës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme