Tahiri për rastin në Drenas: Ata që shkelin autorizimet që u janë besuar, s’do të mbesin pa u ndëshkuar

Tahiri për rastin në Drenas: Ata që shkelin autorizimet që u janë besuar, s’do të mbesin pa u ndëshkuar

07 February 2019 17:00

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, me të cilët, thotë se ka biseduar për situatën e fundit në fushën e rendit dhe ligjit si dhe për rastin e abuzimit seksual ndaj të miturës nga Komuna e Drenasit, si një rast që cenon të drejtat themelore të përcaktuara me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi.

Sipas një komunikate për media, thuhet se rastin e vlerësuan si jashtëzakonisht të rëndë, që shpërfaq nevojën e rritjes së llogaridhënies së institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.

Gjatë takimit, thuhet në komunikatën dërguar nga Ministria e Drejtësisë, po ashtu u kërkua që përgjigja ndaj kryerësve të këtij krimi të jetë e menjëhershme dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Tahiri ka vlerësuar se “ata që abuzojnë me pushtetin institucional, duke shkelur autorizimet që u janë besuar, nuk do të mbesin pa u ndëshkuar”.

Të pranishmit kanë ritheksuar përkushtimin për të vazhduar fuqizimin e sektorit të sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke dhënë mesazh të qartë për të gjithë ata që nga jashtë apo brenda përpiqen të minojnë integritetin e institucioneve, ndaj të cilave qytetarët kanë dhe duhet të kenë besim të plotë.

Në takim po ashtu është ngritur si shqetësim edhe numri i madh i rasteve të grabitjeve të armatosura, dhe është kërkuar plan konkret nga Policia e Kosovës për të parandaluar në të ardhmen rrezikimin e sigurisë së qytetarëve nga rastet e tilla.

Shteti i së drejtës e barazia përpara ligjit janë dhe duhet të jenë parime që udhëheqin punën e institucioneve të sigurisë dhe sundimit të ligjit, andaj të pranishmit janë pajtuar të punojnë në avancimin dhe forcimin e sundimit të ligjit, në konsolidimin e mëtejmë të institucioneve gjyqësore të pavarura dhe efikase, si dhe në luftimin e dukurive negative, si kushte themelore për rritjen e integritetit të punës së institucioneve shtetërore dhe rritjes së besimit të qytetarëve në këto institucione.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Dr.Dreni11/02/2019 09:35

Zoti Tahiri po të kishit nje fije morali, ju së bashku do te kishit dhën dorëheqje .Si gjeni një fije nder e moral të dilni me këso deklarata , ju jeni në dijeni se këto masakra ndodhin çdo ditë nga miqt tuaj, djemët e miqëve tuaj , policet, eproret e mësuesit që jan nën mbrojtjen tuaj direkte ose militant partiak. Ju e dini kët enëse nuk e dini atëher ose jeni i marr ose idiot përndryshe ska si sqarohet ndryshe ky far mbledhimi i katër njerëzve të cilë qëndrojnë pas çdo krimi së paku indirekt dhe pa unskuqur fare dhe pa fije turpi përsërisin refrenin :"do të denohen"!???. Pa ndje ama kurrfar përgjegjësie si udhëheqës tështyllave themelore të shtetit drejtësise,policisë,shëndetësisë,arsimit po mungon vetëm një pjestar nga familja në kët takim për ta përmbyllur rrethin e të dështuarve.

Shto koment

Të ngjashme