Arbëri

AKR-ja beson se riformatimi i Qeverisë s’ia prek Ministritë, ani pse i ka mbetur veç një deputet

Vota e deputetit-këngëtar Labinot Tahiri, ishte përcaktuese për qeverinë e Ramush Haradinajt dhe tani ky u bë pjesë edhe e grupit parlamentar të partisë së kryeministrit, AAK.

Por, Tahiri nuk e ka ndërruar edhe partinë e tij.

“Nuk e ndërron AKR-në, është shtyllë e AKR-së për atë regjion”, ka thënë Rrahim Pacolli, sekretar organizativ i AKR-së.

Kjo lëvizje nuk nënkupton edhe ndryshime në koalicionin qeverisës, thotë Sekretari Organizativ i kësaj partie, duke iu kundërpërgjigjur zërave që kanë kërkuar të rishqyrtohet pozicioni i partisë së vogël në koalicionin e madh.

AKR do të vazhdojë t’i udhëheqë 4 ministri që i ka aktualisht, si edhe pozitën e zëvendëskryeministrit për kryetarin Behgjet Pacolli.

“Koalicioni është në rregull, deri sot ka performuar shkëlqyeshëm”, ka thënë Rrahim Pacolli.

Aleanca Kosova e Re, pas zgjedhjeve, kishte katër deputetë, por mbeti pa Korab Sejdiun, që, i pakënaqur me subjektin e tij, si deputet i pavarur iu bashkua grupit parlamentar të LDK-së, kurse Behgjet Pacolli kaloi në qeveri.

Por, lëvizjen më të madhe të deputetëve, e solli ndarja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe krijimi i grupit parlamentar të PSD-së me 12 deputetë.

Përveç tyre, nga Vetëvendosje, në shtëpinë e vjetër u kthye edhe deputetja Donika Kadaj-Bujupi.

Përveç legjislativit, edhe në ekzekutiv, AKR-ja më së shpeshti është dashur të gjejë zëvendësime për ministrat e saj, duke filluar me Flamur Sefajn, Albena Reshitjan e Bejtush Gashin.

deputeti Labinot Tahiri, edhe një herë kishte arritur të jetë përcaktues për ministrin e ardhshëm të Punëve të Brendshme, duke e sjellë të panjohurin Ekrem Mustafa nga Ferizaj.

Së fundmi, kryeministri Haradinaj, sërish i kushtëzuar, është dashur t’i ndajë rrugët me ministrin e Buqësisë, Nenad Rikallo, derisa ende nuk ka emëruar një zëvendësues për të.

Koalicioni PAN, tashmë ka një vit e gjysmë që qeveris me vendin.