SHBA: Tarifat krijojnë sfida për marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Kosovë

SHBA: Tarifat krijojnë sfida për marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Kosovë

05 shkurt 2019 14:33

Shtetet e Bashkuara i kërkuan sërish Kosovës që të pezullojë tarifat ndaj mallrave serbe, për t’i hapur rrugë procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane i tha 'Zërit të Amerikës' se “Shtetet e Bashkuara vazhdimisht e kanë ngritur çështjen e tarifave dhe nevojën e pezullimit të tyre. Udhëheqësit e Kosovës e kanë të qartë seriozitetin e qëndrimit tonë dhe sfidat që paraqesin tarifat për marrëdhëniet e forta dypalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Kosova dhe Serbia, thekson më tej zyrtari i lartë, duhet të ndërmarrin veprime dhe vendime të vështira, por të nevojshme, t’u japin përparësi bisedimeve dhe të normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre”, thuhet në deklaratë.

Në muajin nëntor Kosova vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia për shkak të, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi ndërkaq e ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, duke bërë që procesi të mbetet i pezulluar.

Shtetet e Bashkuara disa herë kanë bërë thirrje për pezullimin e tarifave, ndërsa javën e kaluar këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Donald Trump, John Bolton, bisedoi në telefon me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Kërkesa amerikane për pezullimin e tarifave, ka shkaktuar mospajtime brenda koalicionit qeverisës në Kosovë.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ngul këmbë që tarifat të mbahen deri në një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ndërsa presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari parlamentit, Kadri Veseli, kërkojnë që të dëgjohen aleatët dhe ato të pezullohen.

Tash për tash nuk është e qartë se cila do të jetë rrugëdalja nga situata e krijuar me tarifat. Bashkimi Evropian po ashtu po ushtron trysni politike ndaj Kosovës për heqjen e tyre.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme