Arbëri

Vendimi i Kushtetueses ringjall konfliktin për të parin e Prishtinës

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese e ka rikthyer diskutimin e nxehtë mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Shpend Ahmetit, për të parin e kryeqytetit.

Ahmeti, tash kryetar i PSD-së, por që garën për të parin e Prishtinës e fitoi të dyja herët si anëtar i Vetëvendosjes, është bërë cak i akuzave, se duke i dhënë jetë qeverisjes Haradinaj, u shpërblye me vendim në favor të tij nga Gjykata Kushtetuese. Kësisoj, LDK-ja e ka vënë në kontest edhe kredibilitetin e instancës më të lartë “rrahjes së çekanit” në vend, raporton Koha.net.

Facebooku vazhdon të mbetet arena e pëlqyeshme për përplasje në distancë. Mustafa, që u mund nga Ahmeti në balotazh në zgjedhjet lokale të nëntorit të vitit 2013, shkroi se ky e shpëtoi “Qeverinë të shtunën, Kushtetuesja e shpëtoi Ahmetin të hënën”. Marrëzi antiakademike u cilësua kjo nga Ahmeti.

“E mira kthehet me të mire! Gjykata Kushtetuese shkeli të gjitha afatet ligjore për të vendosur për kërkesën e Arban Abrashit. Në fund vendosi në interes të pushtetit”, ka thënë Mustafa.

Për ish-kryeministrin e Kosovës, “një shtet që e humb besimin në Gjykatën Kushtetuese nuk i ka punët mirë”.

“As shteti e as Gjykata”, ka thënë ai.

Përgjigja nga Ahmeti nuk vonoi as 30 minuta. Tha se “akademiku i nderuar paska mashtruar publikun”.

“Akademiku i nderuar paska mashtruar opinionin duke thënë se pas Kuvendit të shtunën, Gjykata ka vendosur sot kundër Abrashit. Ne e dimë që Isa Mustafa plot një vit ju ka thënë simpatizantëve se Gjykata do të na ‘rrëzojë’, por me 23 janar asaj gënjeshtre i ka ardh fundi”.

Duke bashkëngjitur deklaratën e Mustafës nga Facebooku, si dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku në vendim thuhet se Gjykata njëzëri ka marr vendim me 23 janar.

“Sot Gjykata ka publikuar edhe vendimin e Istogut në favor të Haki Rugovës (LDK) e kundër Gani Dreshajt (AAK). Sigurisht për institucionalistin Mustafa ky vendim është i drejtë, por në rastin e Prishtinës është shitje e krejt gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese. Marrëzi antiakademike”, ka thënë ai.

Vetë Abrashi nuk e ka thënë asnjë fjalë pas vendimit. Në profilin e tij në Facebook, Abrashi tash deputet, vetëm ka ripostuar qëndrimin e shefit të tij në parti.

Kujtojmë se sot, Gjykata Kushtetuese, ka bërë publik vendim ndaj ankesës së Arban Abrashit dhe LDK-së, në lidhje me zgjedhjen e Shpend Ahmetit, atëherë pjesë e Vetëvendosjes, kryetar të Komunës së Prishtinës.

Abrashi, kandidat i LDK-së për Kryetar të Komunës në zgjedhjet lokale të vitit 2017, në thelb, pretenduan se Gjykata Supreme, por edhe PZAP-i, në procedurat e zhvilluara për shqyrtimin e ankesave dhe apeleve të tyre, kanë dështuar të ofrojnë mbrojtje gjyqësore të të drejtave të tyre të garantuara me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës dhe, për pasojë, vendimet e këtyre autoriteve publike, kanë rezultuar në shkelje të të drejtave të tyre zgjedhore dhe të pjesëmarrjes të garantuara me nenin 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës.

Gjykata, njëzëri, refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesve të kërkesës për seancë dëgjimore sepse nuk konsideroi se kishte ndonjë paqartësi rreth “provave apo ligjit” , transmeton Koha.net. Gjykata, përmes një njoftimi, thotë se konstatoi se dokumentet e përfshira në kërkesë janë të mjaftueshme për të vendosur meritat e këtij rasti.

Në balotazh, Ahmeti kishte fituar ndaj Abrashit me një diferencë tepër të vogël të votave, në rreth 300 vota.