Nis në Mitrovicën veriore protesta e Listës Serbe, nesër të tjerë protestojnë kundër pushtetit të Vuçiqit Foto: Koha

Protesta e serbëve mbyllet në urën që ndan Mitrovicën

Donika Voca Gashi 01 February 2019 12:21
12:51

Protesta e serbëve në veri të Mitrovicës ka përfunduar.

KTV raporton se marshi protestues është mbyllur në urën kryesore mbi lumin Ibër, i cili e ndan këtë qytet.

12:38

Rakiq: Dje taksa, sot aneksimi e nesër okupimi i Trepçës, s’lëvizim nga këtu

Kryetari i Listës serbe, Goran Rakiq në protestën që është duke u mbajtur në veri të Mitrovicës ka thënë se po synohet okupimi i Trepçës.

Megjithatë ai thotë se nuk do të dorëzohen, dhe do të vazhdojnë të jetojnë në veri pasi për këtë kanë mbështetjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, raporton KTV.

“Ky nuk është tubim politik, por lufta jonë për një të nesërme më të mirë. Dje taksa, sot aneksimi, e nesër okupimi i Trepçës. Dëshirojnë të na bindin se bashkimi i Mitrovicës do të na bashkojë ekonomikisht, por kjo është rrenë. Pse me hesht kur e dimë se asnjë serb nuk jeton në jug. Do të vazhdojmë të jetojmë këtu, kemi marr garanca nga Vuçiqi për mbështetje dhe nuk ka kthim prapa. Nga këtu ky është mesazhi ynë”, ka thënë Rakiq.

12:21

Nis në Mitrovicën veriore protesta e Listës Serbe, nesër të tjerë protestojnë kundër pushtetit të Vuçiqit

Me pankartat “Nuk e japim Veriun”, “Serbia kujdeset për serbët e saj”, sot ka nisur protesta në veri të Mitrovicës kundër bashkimit të qytetit, raporton KTV.

Në këtë protestë janë edhe Igor Simiq i Listës Serbe dhe Goran Rakiq, kryetar.

Pjesë e protestës është edhe ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo.

Milan Ivanoviq, drejt i spitalit ka thënë se, “kjo është protestë qytetare nga qindra që i kemi mbajt kundër vrasjes së serbëve anti-taksës. Ndërsa sot kundër idesë së aneksimit të veriut”.

Ivanoviq më tutje ka thënë se nuk do të lejojnë marrjen e Ujmanit e Trepçës.

“Këta të jugut po thonë se dëshirojnë të na bashkojnë, por në fakt dëshirojnë të na e humbin lirinë. Nuk do të lejojmë dhe do ta mbrojmë përmes të gjitha rrugëve dhe nuk do të lejojmë as marrjen e Ujmanit. Po dëshirojnë edhe Trepçën të na marrin. Jemi më shumë se në disa tubime të opozitës në Beograd. Nuk do të lejojmë pastrim etnik dhe dhunën ndaj nesh”, është shprehur ai. “Protestat tona janë organizuar nga qytetarët që jetojnë këtu dhe jo nga ato të sponsorizuarat. Ne i dimë synimet e tyre. Thonë që Kosova është e humbur dhe i përket shqiptarëve, por kjo s’do të ndodhë. Jemi mjaftueshëm shumë këtu që të mos lejojmë këtë të ndodhë”.

Ai ka shtuar më tutje gjithashtu se, “ne i përkasim institucioneve serbe. Miliona euro ka dhënë qeveria për ne dhe ne jemi këtu Serbia dhe Rusia”.

Në këtë protestë ka folur edhe rektori i Universitetit të Mitrovicës, Rade Gërbiq, i cili thotë se serbëve po iu cenohen të drejtat elementare.

“Do të vazhdojmë të jemi këtu përkundër presioneve. Edhe njëherë po tregojmë se po na cënohn të drejtat elementare dhe ne nuk do të lejojmë aneksimin e as Serbia. Nëse institucionet tona nuk do të jenë nën autoritetin e Serbinë nuk do të ketë as serbë në veri”, ka thënë ai.

Gërbiq ka theksuar se tashmë durimi ka mbaruar, derisa ka kërkuar ndihmë nga Vuçiqi.

“Ne jemi të vetëdijshëm se qëllimi i tyre është shkëputja e vendeve të punës, por këtë nuk duhet të lejojmë. Na ka ardhur në fyt durimi, ju thërrasim të jemi bashkë pasi që vetëm kështu e mbrojmë Trepçën. Vetëm duhet ta dijnë që edhe të dobëtit kur bëhen bashke janë të fortë. I bëjmë thirrje Vuçiqit që edhe njëherë të na ndihmojë. Edhe bashkësisë ndërkombëtare që të na ndihmojë”, ka thënë ai.

Kjo protestë po mbahet një ditë para asaj që është paralajmëruar të mbahet nesër, të shtunën, në pjesën veriore të Mitrovicës, e thirrur nga Marko Jakshiq dhe të tjerë, po me atë slogan si protestat që po mbahen prej javësh në Beograd e qytete të tjera të Serbisë "1nga5milionë", në kundërshtim të pushtetit të Aleksandar Vuçiqit, rikujton Koha.net.

Tash tri ditë në Mitrovicë (pjesën veriore të saj) ndodhet drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka bërë thirrje që të mos përkrahet protesta e ftuar për të shtunën meqë "nëse tjetërkund në Serbi mund të ketë arsye për protestë kundër pushtetit, këtu në Kosovë nuk ka arsye, sepse ajo kujdeset për ta".

  • Foto: Koha

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme