Krerët e koalicionit mblidhen në Presidencë

Thaçi: Pres vendimmarrje të përgjegjshme në interes të Kosovës dhe SHBA-së

31 January 2019 17:18
19:44

Presidenti Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook ka thënë se pas takimeve të sotme me krerët tjerë institucionalë dhe ambasadorin amerikan Philip Kosnett, pret vendimmarrje në përputhje me interesin shtetëror të Kosovës dhe SHBA-së.

Ai ka thënë se në takime është biseduar për ruajtjen e partneritetit me SHBA-në.

“Në këto takime kemi biseduar për çështje të rëndësishme shtetërore, për ruajtjen e partneritetit të përjetshëm me SHBA-në dhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Interesi shtetëror duhet të bëjë bashkë gjithë spektrin politik, për të marrë vendime të rëndësishme për perspektivën e qytetarëve dhe për të ardhmen tonë euroatlantike, në përputhje me interesat e SHBA-së dhe partnerëve strategjikë të Kosovës. Prandaj, në ditët në vijim, pres vendimmarrje të përgjegjshme në përputhje të plotë me interesat shtetërore. Nuk kemi kohë për të humbur”, ka shkruar ai.

Refuzimi për të pezulluar taksat është kundër interesave të SHBA

19:27

Limaj pas takimit në Qeveri: Nuk ka kurrgjë

Pas takimit që sonte u mbajt fillimisht në Presidencë e më pas në Qeveri, nuk është dhënë asnjë detaj.

Pas takimit, asnjëri nuk u deklarua për media, veçse Limaj derisa u pyet nga gazetarët për takimin, nga distanca tha se “nuk ka kurrgjë”, transmeton kp.

Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, që janë emëruar të udhëheqin Ekipin shtetëror për negociata me Serbinë, u takuan në ndërtesën e qeverisë, në takim me shefin e ekzekutivit, pas një takimi tjetër që patën me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe presidentin Hashim Thaçi, në zyrën e këtij të fundit.

18:14

Përfundon takimi në Presidencë, në objekt të Qeverisë hyjnë Haradinaj, Limaj e Ahmeti

Ka përfunduar takimi i krerëve të shtetit në zyrën e presidentit Hashim Thaçi.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe zëvendësësit e tij, Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli, janë parë ta kenë lënë takimin, por nuk janë prononcuar para gazetarëve që po i prisnin në oborrin e ndërtesave të Kuvendit dhe Qeverisë.

Ata kanë hyrë në zyrat e ndërtesës së Qeverisë.

Nuk janë parë të ketë dalur nga takimi kryeparlamentari Kadri Veseli.

Në zyrë të Qeverisë ka hyrë edhe Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës dhe i PSD-së, që thotë se është në opozitë. Ahmeti bashkë me Limajn janë kryesues të Ekipit shtetëror të dialogut.

Në takim ishte edhe ambasadori francez, Didier Chabert, i cili ishte i pari që ka dal nga takimi.

17:49

Qeveria ka kohë deri të hënën për ta hequr taksën

Një burim i afërt me kryekuvendarin Kadri Veseli, ka bërë të ditur për Koha.net se afati i fundit kur do të hiqet taksa është dita e hënë, më 4 shkurt.

Ky burim, ka thënë se takimi ende po vazhdon të mbahet në presidencë, por nuk dihet ende saktë nëse sonte mund të merret ndonjë vendim.

17:18

Krerët e koalicionit mblidhen në Presidencë

Krerët e shtetit janë mbledhur edhe këtë mbrëmje.

Këtë herë nikoqir është presidenti Hashim Thaçi. Koha.net ka mundur ta konfirmojë takimin përmes një burimi të afërt me kryeministrin Ramush Haradinaj. I njëjti, në kushte anonimiteti i ka thënë portalit se nuk pritet që kryeministri të heqë dorë nga taksa.

Edhe një burim nga presidenca e ka konfirmuar takimin, por ndryshe nga ai i Kryeministrisë, ka shprehur optimizëm se taksa do të hiqet dhe do t’i hapet rruga vazhdimit të dialogut.

Mësohet se pos Thaçit e Haradianjt, në takim janë edhe Kadri Veseli, Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli.

Këtë javë janë intensifikuar takimet mes krerëve të koalicionit, pas presionit të vazhdueshëm që taksa 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe ato nga Bosnja të hiqet. Paradite, në Presidencë, krerët e shtetit kanë takuar ambasadorin amerikan, Philip Kosnett.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Kemi01/02/2019 11:35

Mjer Kosova në duar të kujt ka mbet,po çka dijn këta për KUFIJ Shtetror këta GJYSËMANALFABETA.

Mendimi i lir01/02/2019 16:04

Për t'u çliruar nga pritjet e të tjerëve, për t'a marrë përsëri veten - qëndron fuqia e madhe, e kjo ësthtë vetrespekti.

Shto koment

Të ngjashme