Arbëri

Shoqëria civile me protestë kërkon ndryshimin e ligjit për OJQ-të

Foto: Ksp

Me moton “Ndal vjedhjen”, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile kanë protestuar para Kuvendit me qëllim të ndryshimit të ligjit për OJQ-të.

Në emër të 300 organizatave joqeveritare foli Taulant Hoxha, Drejtor Ekzekutiv në KCSF. Ai tha se po kërkojnë të ndalet vjedhja e kapitalit të OJQ-ve.

“Jemi këtu në emër të 300 organizatave jo qeveritare për të kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta parandalojnë një vjedhje që po i bëhet kapitalit dhe pasurisë së OJQ-ve në Kosovë. Me ligjin e miratuar nga Kuvendi për OJQ më 7 nëntor të vitit të kaluar është lejuar shkelja e elementit kryesor të shoqërisë civile, e që është që pasuria e OJQ-ve të mund të shfrytëzohet dhe të ndahet edhe me biznese private”, ka thënë Hoxha, përcjell KosovaPress.

Sipas Hoxhës, deputetët e kanë mundësinë ta parandalojnë këtë gjë .ai është shprehur optimist se deputetët do të tregohen bashkëpunues.

“Asnjëri nga ta nuk ka pasur ndonjë argument ose kundërshtim mbi kauzën tonë, më shumë ka qenë siç duket një lëshim i deputetëve edhe për shkak të funksionimit të Kuvendit muajt e fundit. Nuk besojmë që njëri nga deputetët ta ketë çfarëdo baze për të mos e votuar kërkesën tonë, e që janë amendamente që mund të hyjnë në rend dite sot ose nesër ose ditëve në vazhdim, kështu që po, presim që t’i japin fund kësaj pasigurie për sektorin”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, një praktikë e tillë nuk ka ndodhur më parë askund në botë, njëherësh ka thënë se është hera e fundit që po dalin t’i takojnë deputetët.

Ata kanë vendosur para Kuvendit pankarta, disa prej të cilave me mbishkrime “OJQ = jo për përfitim, Biznes = për përfitim. Mos i përzi. Shpëto 160 milionë”, dhe “Të parët në botë për me falë pasuri të përbashkët për xhepat privatë”.