Arbëri

KDI tregon arsyet pse Kosova pësoi regres në luftën kundër korrupsionit

Descriptive Text

Rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2018 e zhvendosin Kosovën prapa në ranglistën botërore. Kjo u bë e ditur sot gjatë konferencës për media të mbajtur nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), degë e “Transparency International” - rrjetit global në luftën kundër korrupsionit, në të cilën u publikuan rezultatet e këtij indeksi.

Me këtë rast Fjolla Uka nga KDI, theksoi se sikurse edhe në vitet e kaluara, edhe këtë vit, Transparency International (TI) ka publikuar rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, i cili përdor një metodologji të sofistikuar shkencore.

Burime të informatave për këtë hulumtim janë kryesisht raportet kredibile nga organizata ndërkombëtare si Freedom House, World Bank, Bertelsmann Foundation, Global Insight dhe Varieties of Democracy Project. Indeksi shfrytëzon sistemin e vlerësimit prej 100 shkallësh në të cilin vlerësimi maksimal do të thotë ‘vend i pastër nga korrupsioni’ kurse vlerësimi prej zero pikë do të thotë ‘vend shumë i korruptuar’.

Uka njoftoi se në nivel global, prej 180 vendeve që marrin pjesë në këtë vlerësim, Danimarka radhitet e para këtë vit me 88 pikë duke kaluar liderin e vjetëm Zelandën e Re i cili ka 87 pikë. Vendin e tretë e ndajnë Finlanda, Singapori, Suedia dhe Zvicra me 85 pikë.

Arben Kelmendi deklaroi se Kosova sivjet ka humbur dy pikë në sistemin e vlerësimit të CPI (nga 39 sa kishte më 2017 në 37 pikë) dhe si rrjedhojë ka rënë nga pozita e 85-të në atë të 93-të.

“Kosova me 37 pikë ende ndodhet nën mesataren globale prej 43 pikësh. Rankimi i dobët i Kosovës në Indeksin e sivjetmë i atribuohet kryesisht institucioneve të brishta të sundimit të ligjit, nivelit të lartë të mosndëshkueshmërisë së rasteve të korrupsionit, mungesës së llogaridhënies së zyrtarëve publikë, transparencën e pamjaftueshme dhe ngushtimin e hapësirës për pjesëmarrje qytetare”, ka shtuar ai.

Image

Një gjetje tjetër interesante nga krahasimi i rezultateve për vendet e rajonit tregon se i tërë rajoni po kalon nëpër një periudhë stagnimi dhe vetëm Maqedonia ka shënuar rritje prej 2 pikësh në krahasim me vitin e kaluar. Kapja e shtetit përbën njërën prej pengesave kryesore në luftimin e korrupsionit dhe vendosjen e drejtësisë.

Sipas KDI, Kosova duhet të fokusohet urgjentisht në tre fusha në mënyrë që të shënojë përparim:

Pavarësinë e sistemit të drejtësisë - Ndërhyrjet politike në punën e gjyqësorit po minojnë pavarësinë dhe punën profesionale të drejtësisë kosovare.

Luftën kundër korrupsionit -Përkundër ndryshimeve të fundit të legjislacionit, krijimit të grupeve punese dhe mekanizmave përcjellës për krimet e nivelit të lartë të korrupsionit luftimi i korrupsionit vazhdon të mbetet njëra nga sfidat kryesore të shoqërisë kosovare. Institucionet vendore nuk duhet të vetëmjaftohen nga sinjalet pozitive të institucioneve të BE-së për progresin e shënuar në këtë fushë. Të gjitha hulumtimet serioze flasin për nivele të larta të nepotizmit, punësimit në baza partiake, emërimeve politike në borde të ndërmarrjeve publike etj.

Në fushën e prokurimit publik kërkohet ngritja e transparencës në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit, hapja e kontratave, i menaxhimi i mirëfilltë i kontratave publike dhe ngritja e nivelit të llogaridhënies së zyrtarëve publikë.