Arbëri

ORCA letër Haradinajt, Bytyqit e Kurteshit në lidhje me konferencën e rektorëve dhe grevën

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA, për shkak të situatës së krijuar ku pritet që sot në orën 16:00 të mbahet konferenca e Rektorëve ku do të vendoset për grevën lidhur me papajtueshmërinë me vendimet e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, si organizatë monitoruese i ka drejtuar një letër të hapur informuese Kryeministrit Ramush Haradinaj, Ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi dhe Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi.

LEXO EDHE: Rektorët vendosin sot për grevë e protesta, si përgjigje ndaj mos-shkarkimit të KSHC-së

“Në kuadër të misionit si organizatë joqeveritare dhe duke ndjerë përgjegjësinë për t’ju sqaruar juve dhe opinionin publik lidhur me situatën e krijuar mes Konferencës së Rektorëve dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë; në cilësinë e organizatës që ka monitoruar punën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim - më poshtë po ju japim të dhëna nga raportet e monitorimit të mbledhjeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe analizimit të situatës konkrete. Në shërbim të kësaj shkrese janë vënë raportet e brendshme të monitorimit të ORCA-s të mbledhjeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në datat 15 janar 2019 (nga monitoruesi Rron Gjinovci) dhe 16 janar 2019 (nga monitoruesja Adea Kondirolli). Po ashtu janë monitoruar takimet e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji më 24 janar 2019 (me pjesëmarrës Konferencën e Rektorëve) dhe më 25 janar 2019 (me pjesëmarrës Këshillin Shtetëror të Cilësisë). Po ashtu janë analizuar deklaratat publike dhe ultimatumi i Konferencës së Rektorëve i datës 21 janar 2019 si dhe legjislacioni në fuqi që rregullon çështjet e akreditimit në Kosovë”, thuhet në letrën e tyre.

Lexoni të plotë letrën nga ORCA:

Pas një analize të kujdesshme ORCA ka arritur të identifikojë disa pretendime kryesore të Konferencës së Rektorëve:

1. Pretendimin për probleme teknike me e-akreditim, me ç’rast nuk janë marrë parasysh formularët e një numri profesorësh lidhur me akreditimin e programeve

Konstatimi i ORCA-s nga monitorimi i takimeve të AKA në datat 15-16 janar 2019:

AKA përmes kompanisë që e mirëmban e-akreditimin e ka verifikuar (më datë 15 janar gjatë mbledhjes) vërtetësinë e pretendimit se disa profesorë kanë pasur vështirësi në regjistrim. Me të marrë vesh se 41 rastet e pretenduara kanë provuar të regjistrohen, AKA ka vendosur që t’i shqyrtojë dosjet fizike të tyre.

2. Validimi i programeve – Tërheqja e akreditimeve për programet ekzistuese që nuk i kanë 3 PhD të fushës pa bërë vlerësim nga ekspertët

Konstatimi i ORCA-s nga monitorimi i takimeve të AKA në datat 15-16 janar 2019 dhe nga shqyrtimi i legjislacionit në fuqi:

Programet që tashmë janë akredituar kalojnë çdo vit në kontrollin e plotësimit të kriterit bazik, atë të 3 PhD të fushës për program. Kjo ka qenë praktikë e përvitshme e AKA në kuadër të misionit të vet për

monitorimin e programeve të akredituara. Programet të cilat në të kaluarën janë akredituar pa e përmbushur këtë kriter apo të cilat në ndërkohë kanë pasur ndryshime të stafit dhe nuk kanë pasur staf kompetent nuk janë validuar, pra nuk u është vazhduar akreditimi.

Vërejtje: kjo nuk i prek studentët që kanë filluar studimet kur këto programe kanë qenë të akredituara. Tërheqja e akreditimit nënkupton se institucionet nuk kanë të drejtë të regjistrojnë studentë të tjerë.

Gjatë validimit të 185 programeve ekzistuese, u është vazhduar akreditimi 124 programeve të universiteteve publike dhe 61 programeve të institucioneve private, ndërkohë ka tërhequr akreditimin për 74 programe, 40 të universiteteve publike dhe 35 të institucioneve private.

3. Akreditimi dhe riakreditimi pa vlerësim ekspertësh

Konstatimi i ORCA-s nga monitorimi i takimeve të AKA në datat 15-16 janar 2019:

Programet që kanë qenë të akredituara por që u ka skaduar ai dhe kanë aplikuar për riakreditim kanë kaluar vetëm në fazën e parë të akreditimit e cila nënkupton përmbushjen e kushtit bazik të 3 PhD të fushës për program. Në këtë fazë nuk ka dhe nuk duhet sjellë ekspertët.

4. Pretendimet se KShC nuk ka kompetencë për ta bërë vlerësimin fillestar

Konstatimi i ORCA-s nga shqyrtimi i legjislacionit në fuqi:

Sipas UA për zgjedhjen e anëtarëve të KShC është paraparë përbërja e KShC nga anëtarë që u takojnë 9 fushave të përcaktuara ndërkombëtarisht, të cilat për rrethanat e Kosovës janë rigrupuar në 4. ORCA konstaton se KShC është kompetente për të evidentuar nëse bartësit e programeve janë apo jo të fushës pasi për këtë nuk nevojitet ekspertizë. Ekspertiza vjen në shprehje për të vlerësuar përputhshmërinë e programit të propozuar me aktivitetet mësimore të parapara brenda tij, fazë e cila do të ndiqet për të gjitha programet të cilat e kalojnë fazën e parë, atë të përmbushjes së kriterit për 3 PhD të fushës si bartës programi.

Në total KShC ka dhënë dritën e gjelbër për 104 programe, 53 të universiteteve publike dhe 51 të institucioneve private, ndërsa ka refuzuar 107 programe, 28 të universiteteve publike dhe 79 të institucioneve private.

5. Dyshime në evidentimin e fushave të ngushta

Konstatimi i ORCA-s nga monitorimi i takimeve të AKA në datat 15-16 janar 2019:

Nga rektorët është pretenduar se KShC nuk i ka parë temat e doktoraturave, por vetëm gradën shkencore. ORCA gjatë monitorimit ka parë se çdo bartësi të programit i është evidentuar përveç titullit, edhe tema e disertacionit sidomos në rastet kur ka pasur mëdyshje.

6. Përvoja e punës përparësi ndaj fushës së gradës shkencore

Konstatimi i ORCA-s nga monitorimi i takimeve të AKA në datat 15-16 janar 2019 dhe legjislacioni në fuqi:

Nga Rektorët është pretenduar se persona të caktuar që kanë përvojë pune të gjatë në fushë të caktuar nuk janë llogaritur si adekuat për të qenë bartës programi. AKA nuk mund të akreditojë programe duke

marrë për bazë përvojën e punës pasi ligjet dhe udhëzimet kërkojnë që përveç përvojës bartësit e programeve të jenë edhe PhD të fushës.

7. Janë kërkuar 4 profesorë për program studimi

Konstatimi i ORCA-s nga monitorimi i takimeve të AKA në datat 15-16 janar 2019:

UA edhe në të kaluarën edhe tash kërkon 1 PhD për 60 ECTS, që i bie 3 PhD për një program Bachelor me 180 ECTS dhe dy PhD të fushës për një program Master me120 ECTS. Pretendimi se tani kërkohen 4 PhD të fushës për program me 180 ECTS dhe se kjo është ndryshim i rregullave pas akreditimit fillestar është i paqëndrueshëm dhe i paprovueshëm nga palët pretenduese.

8. Pretendimet se në Edukim, Gazetari dhe Infermieri nuk ekzistojnë studimet e PhD

Konstatimi i ORCA-s nga hulumtimi sipërfaqësor i programeve të studimit në Universitetet evropiane:

Ky pretendim është i paqëndrueshëm. Për të gjitha këto drejtime ofrohen studime të doktoratës. Nëse në Kosovë nuk ka të tillë, i bie që Kosova nuk ka kapacitete për të ofruar programe të tilla studimi, përveç nëse institucionet angazhohen në sjelljen e stafit.

Të nderuar,

Nga sa u tha më lart ORCA konstaton se për arsye të ndryshme që mund të lidhen me keqinformim dhe mungesë të mirëfilltë të komunikimit mes Konferencës së Rektorëve dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë, realiteti i paraqitur nga Konferenca e Rektorëve është i shtrembëruar.

ORCA konstaton se përtej çdo dyshimi të bazuar mund të thuhet se Këshilli Shtetëror i Cilësisë nuk e ka shkelur legjislacionin në fuqi bazuar në tendenca politike apo mungesë profesionalizmi. Megjithatë, mundësia që të jetë përvjedhur ndonjë gabim apo lëshim i një natyre të paqëllimshme si nga anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë apo edhe nga monitoruesit e ORCA-s, mund të përmirësohet përmes ushtrimit të ankesës nga të gjitha institucionet e pakënaqura në Komisionin e Ankesave pranë AKA-s.

ORCA i bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të kenë vëmendje të shtuar në procesin ndërkombëtar në të cilin po kalon Agjencia e Kosovës për Akreditim, e cila në fund të vitit të kaluar ka dorëzuar aplikimin e saj për riakreditim pranë ENQA-s. Vendimi për shqyrtimin e aplikimit të AKA do të merret në 3 muajt e ardhshëm dhe çfarëdo lëndimi i proceseve të brendshme të akreditimit mund të shkaktojë pasoja të pakthyeshme për AKA-në në nivel ndërkombëtar.