Plaçkitjet e mëdha që po ndodhin tash e dy muaj në Kosovë po e vështirësojnë edhe më shumë të bërit biznes në vend. Përkundër gjitha vështirësive tjera, tashmë dhe klima e të bërit biznes është dëmtuar në aspektin e sigurisë.
Kjo sipas njohësve të ekonomisë po e dëmton edhe imazhin për investitorët e jashtëm që të vijnë në Kosovë për të investuar.
Profesori në kolegjin Rinvest, Muhamet Mustafa thotë se gjitha këto raste të plaçkitjeve janë drastike dhe shteti duhet të veprojë shpejt, pasi nëse kjo bëhet dukuri, Kosova do të hyjë në një fazë shumë të vështirë të punës së saj.
“Këto janë raste drastike, nëse nuk ndalen dhe vazhdojnë atëherë kjo do të jetë një çështje shumë problematike, Në qoftë se vazhdon më tutje dhe në qoftë se ato grupe të cilat bëjnë plaçkitje të tilla nuk neutralizohen atëherë do të jetë fatale”, tha ai për Kosovapress.
Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadikaj thotë se të bërit biznes në Kosovë ka qenë shumë i vështirë, e veçmas siç thotë ai, tek rastet e fundit ku bizneset po bëhen cak i grabitjeve.
Për gjitha këto raste, ai kërkoi një reagim më të qartë të institucioneve të Kosovës. Neglizhenca e këtyre të fundit, sipas tij, do të paraqitej një mesazh i keq për gjithë investitorët e jashtëm.
Policia e Kosovës përmes një përgjigje me shkrim thotë se caqet më të atakuara nga grabitësit kanë qenë bizneset dhe bankat e ndryshme në kryeqytet.
Po ashtu, bëhet e ditur se prej periudhës janar-nëntor të vitit të kaluar kanë ndodhur 263 raste të grabitjes me armë, e rajoni më i përfshirë sipas tyre është kryeqyteti me 77 raste.