Arbëri

Kronikë e KTV-së për lirimin nga burgu të Sylejman Selimit

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, komandant Sylejman Selimi, është liruar me kusht nga paneli i lirimit me kusht, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, raporton KTV.

Pas më shumë se 5 vjet qëndrimi në burg, Selimi këtë të premte, në orët e mesditës, është liruar nga burgu dhe është kthyer në shtëpi te të afërmit e tij.

Derisa, ai do të jetë nën mbikëqyrje nga Shërbimi Sprovues i Kosovës, deri më 31 tetor të vitit të ardhshëm.

Por, avokati i tij, Tomë Gashi, thotë se klienti i tij qëndroi për më shumë se 227 ditë në burg, pa një vendim të plotfuqishëm të gjykatës dhe se me vendimin e sotëm për lirimin e tij është tentuar të përmirësohet kjo shkelje.

Gashi thotë se vendimet e gjykatës për mbajtje të tij në vuajtje të dënimit pa vendim të plotfuqishëm, paraqesin keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ata që morën vendimin.

Ndërsa, Bedri Duraku nga paneli për lirimin me kusht, ka konfirmuar për KTV-në se Sylejman Selimi nuk do të mund të lëvizë jashtë Kosovës. E, në rast se do të jetë e nevojshme dalja e tij jashtë shtetit, atëherë kjo duhet të bëhet përmes një kërkese të veçantë me arsyet ligjore.

Gjeneral Sylejman Selimi ishte arrestuar në maj të vitit 2013 dhe ishte shpallur fajtor për veprën penale “krime të luftës kundër popullatës civile” nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 27 maj 2015, duke u dënuar më 6 vjet burgim.

Selimi, gjithashtu, ishte dënuar edhe për rastin “Drenica 2”.

Ish-komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi, ishte dënuar në dy rastet, “Drenica 1 dhe 2”, me dënim unik prej 10 vjetësh burgim, por që më vonë me vendim të Gjykatës Supreme dënimi i ishte ulur në 8 vjet.