Pensionistët dhe veteranët ende s’i kanë marrë pensionet Foto: Koha

Pensionistët dhe veteranët ende s’i kanë marrë pensionet

Fortuna Shkodra Fortuna Shkodra 25 January 2019 14:22

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pensionistët, ende nuk i kanë marrë pensionet e tyre këtë muaj. Madje, ata as nuk janë njoftuar paraprakisht për vonesën dhe po vazhdojnë t’i presin paratë. Por, nga BQK-ja njoftojnë se ato do të transferohen sot para orës 16:00.

Në adresë të portalit Koha.net, që nga dita e djeshme kanë ardhur një numër i madh ankesash nga veteranët e pensionistët se pensionet s’u kanë dalë. Ndonëse, data 23 dhe 24, janë ditët kur pensionet çdo muaj u shkojnë në konto.

Koha.net ka provuar të kontaktojë Ministrin e Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, për të marrë informacione rreth kësaj çështje, por ai nuk e ka hapur telefonin.

Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK, në një përgjigje për Koha.net tha se deri më sot në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës nuk janë procesuar mjetet e dedikuara për kryerjen e pagesave në 16 kategori pensionale.

“Këto mjete sot pritet të transferohen më së largu deri në orën 15:15”, tha Ahmeti.

Kujtojmë se Projekt-Buxheti për vitin 2019, ende nuk është miratuar në lexim të dytë.

Partia Socialdemokrate, kishte vënë pesë kushte kur si parti opozitare bëri të mundur të kalojë në parim ky Projekt-Buxhet. Por, ka thënë se nuk do ta votojë buxhetin në lexim të dytë nëse s’përmbushen të gjitha kushtet e tyre.

Koha.net ka mësuar nga një burim brenda Qeverisë se buxheti në lexim të dytë do të votohet në fund të këtij muaji.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

alban25/01/2019 15:24

L0je me mdenjat e shtresave me ne nevoje. Kjo eshte qeveria e pakicese e cila kushtzohet per cdo vendim ne Kuvend. Kosovese i nevojitet nji qeveri e shumicese qe krijon stabilitet shoqerore dhe ekonomik. Prandaj, qershori eshte shume larg per zgjedhje!

Shto koment

Të ngjashme