Kosova rrezikon të humbasë 24 milionë euro të BE-së për moszbatim të IBM-it me Serbinë

Ridvan Hamza 20 January 2019 19:12

Sikur edhe shumë ngjarje të tjera, historike ishte quajtur marrëveshja fillestare për menaxhimin e integruar të kufirit mes Kosovës e Serbisë, në fundin e vitit 2011.

Më shumë se 7 vjet më vonë, marrëveshja, përveçqë nuk është implementuar nga ana e Serbisë, ka gjasa të mëdha që të çojë dëm edhe miliona të pashfrytëzuara, të dedikuara për realizimin e saj.

KTV-ja ka dërguar një sërë pyetjesh në drejtim të zyrës së përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, për mosimplementimin e marrëveshjes nga ana e Brukselit dhe nëse kjo çështje është ngritur si shqetësim në dialog.

“Ne nuk kemi pranuar ndonjë ankesë nga autoritetet kosovare”, ka qenë përgjigja e shkurtër e zëdhënëses Maja Koçiançiq.

Por, një përgjigje të tillë e konsideron të pakuptimtë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj.

Xhemajlaj rikujton se 2 prej 3 objekteve të përbashkëta që kanë qenë obligim i Kosovës, janë thuajse të përfunduara, derisa e treta, ajo në Bërnjak, nuk ka filluar shkaku i pengesave nga autoritetet serbe.

E, tri objektet që kanë qenë obligim i Serbisë, ato në Jarinjë, Dhe të Bardhë dhe Muqibabë, nuk kanë filluar asnjëherë.

E, sipas Edita Tahirit, qeveria e Ramush Haradinajt nuk ka treguar interes për dialogun dhe marrëveshjet që ishin arritur, çka, sipas saj, ka çuar në ngecje të implementimit.

Mekanizmi i ankesës, sipas Përparim Kryeziut, nuk është shfrytëzuar nga qeveria e Kosovës, jo vetëm nga ajo e fundit.

Kryeziu rikujton se, përveç ngecjeve me marrëveshjen e IBM-së, Serbia ka shkelur detyrimet për të cilat ishte pajtuar edhe në rastin e marrëveshjes për energji, atë për drejtësi dhe për lëvizje të lirë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Ilir21/01/2019 10:40

I ka humb 85 milion të vetat ! Punë e madhe për kto !!!

Shto koment

Të ngjashme