Arbëri

Mblidhet Komisioni për Arsim, kërkohet zgjidhje për grevën

Ka filluar mbledhja e jashtëzakonshme e Komisionit Parlamentar për Arsim ku i pranishëm është edhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Në mbledhje do të diskutohet për situatën në arsim pas shpalljes së grevës nga mësimdhënësit.

Ismajl Kurteshi, kryetar i Komisionit, ka thënë se është shqetësuese kjo gjendje dhe duhet gjetur një zgjidhje pasi 1/3 e popullatës janë në bankat shkollore, si çerdhe, shkolla e fakultete, raporton KOHA.

“Kërkojmë sa më parë një zgjidhje pasi një e tillë është e paevitueshme por po shpresojmë të arrihet sot e menjëherë që nxënësit t’u kthehen shkollave dhe mësimi të vazhdojë normalisht”, ka thënë Kurteshi.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, tha se ngritja e koeficientit sa ka kërkuar SBASHK-u do ta kolapsonte buxhetin.

“Në vazhdimësi e kemi ngritur këtë shqetësim. Kemi pasur diskutime me Ministrinë e Administratës Publike. E kemi ngritur zërin edhe në mbledhje në Qeveri ku unë s’kam votuar pro këtij ligji. Çdo ditë që humbet mësim është dëm i pariparueshëm. Jemi të gjejmë zgjidhje por të mos dëmtohet procesi mësimor. Qeveria ka vullnet të dalim nga kjo situatë, i kemi kërkuar SBASHK-ut të ngriten koeficientet por jo sa kanë kërkuar ata 30 për qind sepse do të ishte kolaps për buxhetin”, ka thënë ministri Bytyqi.

Ndërkaq, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se Qeveria nuk kishte vullnet për t’i ndryshuar gjërat.

“Ne i kemi dhënë Qeverisë afat që nga maji që të bëjë ndryshime në projektligj. Me muaj të tërë i kemi dhënë forcë dialogut. Punëtorët e arsimit janë irrituar kur e kanë kuptuar se po tentohet që sa më shpejt të shkojë projektligji në Kuvend për votim. Kërkojmë rritje 30 për qind që sistemi arsimor të mos mbetet në fund por të këtë vend meritor. Ne s’po kërkojmë rritje pagash por përmirësim koeficientesh. Nëse ka dhjetëra miliona për të tjerët le të ketë edhe për neve”, ka thënë Jasharaj. /Dritë Slivova Polisi & Edona Kutleshi/