Arbëri

Molliqaj: LDK-ja pranon Dialogun dhe PDK-në, nëse merr pushtet për vete

Dardan Molliqaj, deputet i PSD-së, ka thënë se partisë tjetër opozitare, LDK-së, i mjafton që të marrë pushtet për vete për të pranuar Dialogun e PDK-në.

Pasi LDK sot tha se mund të përfshihet në dialog pasi që vendi të shkojë në zgjedhje, ose nëse bëhet rikonfigurim i tërësishëm i institucioneve, Molliqaj ka thënë se “është lajm i mirë që LDK paska bërë lëvizje drejt përfshirjes në dialog me Serbinë”.

“Por përderisa për PSD-në asnjëherë dialogu nuk është shfrytëzuar për të fituar pushtet për vete, për LDK-në synimi dhe kushti i vetëm për t'u përfshirë qenkan nëse ajo merr pushtet. Qoftë përmes zjedhjeve, qoftë pa zgjedhje por vetëm me riformatim të qeverisë - siç deklaroi sot Isa Mustafa. PSD-së i janë ofruar ministri e pushtet, por ne kemi zgjedhur ta refuzojmë përfitimin partiak, për të vendosur kushte tjera, që i shërbejnë Kosovës. LDK-ja nuk paska kushte. Thjeshtë po thotë që për t'u përfshirë në dialog, ajo duhet të jetë në pushtet. Madje nuk paska më rëndësi edhe nëse në këtë pushtet është edhe PDK-ja”, ka shkruar Molliqaj në një postim në Facebook.

Molliqaj më tej ka thënë se është lajm i mirë “avancimi i qëndrimit të LDK-së, por unitetin për ta përfaqësuar Kosovën në dialog, duhet ta krijojmë duke vendosur parime e vlera, e jo duke e shfrytëzuar procesin për të marrë pushtet për vete”.