Arbëri

Këshilli i Nxënësve kundër grevës, kërkon që fillimisht të shteren kanalet tjera për arritjen e qëllimeve

Këshilli i Nxënësve të Kosovës, përmes një reagimi dërguar mediave, ka bërë me dije se nuk e përkrahin grevën e organizuar nga Sindikata e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës - SBASHK.

Ky Këshill, që është strukturë përfaqësuese e nxënësve të të gjitha shkollave të mesme në Kosovë, në bashkëpunim me Këshillin Rinor Kosovar- KYC organizatën nën ombrellën e së cilës funksionon, konsideron se pakënaqësitë e mësimdhënësve të tilla si rritja e pagave, sado mund të jenë kërkesa legjitime, do të duhej të adresoheshin përmes metodave të tjera që nuk do të pengonin mbarëvajtjen mësimore, nga i cili fakt, thotë ky Këshill, nxënësit e pësojnë më së shumti.

“Edhe pse mirë e menduar, praktika tregon që zëvendësimi i orëve mësimore në shumicën e rasteve nuk e ka efektin e njëjtë si procesi i rregullt mësimor, orët shtesë shpesh edhe neglizhohen”, thotë KNK.

Këshilli më tej thotë se konsideruar legjislacionin në fuqi, specifikisht LIGJI Nr. 03/L-200 PËR GREVË, Neni 9, Pika 2 thotë “Grevat nuk mund të deklarohen para së të jenë shterur/përdorur më parë procedurat e pajtimit dhe ndërmjetësimit, sipas ligjit për ndërmjetësimin dhe me kusht që këto procedura të jenë të përshtatshme, të paanshme, të shpejta si dhe që palët të kenë mundësinë e pjesëmarrjes në çdo fazë” plotësuar me LIGJIn NR. 04/L-119 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT NR. 03/L-200 PËR GREVAT, Neni 5.

Andaj, KNK duke besuar në të drejtën e mësimdhënësve për grevë, po të njëjtëve u rekomandon të shterin fillimisht çdo kanal tjetër para se të dëmtojnë dhe të drejtën e nxënësve për arsim.

“Greva duhet të ndërpritet”, thotë KNK.

Këshilli fton institucionet kompetente, veçanërisht Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, të bashkëpunojnë për një zgjidhje efikase dhe të përshtatshme për të gjithë.