Arbëri

Sot nis greva në arsim

Foto: Koha / ilustrim

Për shkak të mos plotësimit të kërkesave nga ana e Qeverisë, SBASHK-u nga sot ka vendosur të hyjë në grevë të përgjithshme.

E hëna pritet t’i gjejë në grevë të gjithë mësimdhënësit, ndonëse është dita kur duhet të fillojë gjysmëvjetori i dytë për vitin shkollor 2018/19, transmeton Koha.net.

Qeveria e Kosovës nuk i ka plotësuar kërkesat e SBASHK-ut për rritje pagash.

SBASHK-u thotë se greva, e cila do të fillojë sot, është rezultat i pagave dhe kushteve diskriminuese që kanë mësimdhënësit. Ajo, sipas saj, mund të zgjasë me muaj. SBASHK ka kërkuar të bëhet korrigjimi i koeficienteve 30 për qind.

Mirëpo, vendimi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës po merr kritika të shumta nga njohës të çështjeve të arsimit.

Orari i mbajtjes së grevës së përgjithshme për të gjitha institucionet arsimore fillon çdo ditë nga ora 9:00 deri në orën 12:00.

Greva, e cila do të fillojë sot, datë14 janar, do të vazhdojë në afat të pacaktuar.