Shenjat e para nga Specialja Foto: Ilustrim

Shenjat e para nga Specialja

Besnik Krasniqi Besnik Krasniqi 13 January 2019 08:00

Dy komandantë rajonalë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sami Lushtaku e Rrustem Mustafa, kanë fluturuar në Hagë të Holandës këtë javë, për t’u përballur nga e hëna e ardhshme me pyetjet e një trupe prokurorësh ndërkombëtarë, që dyshojnë se ata janë të implikuar në krimet që përmenden në raportin e senatorit Dick Marty. Një numër tjetër eksponentësh të UÇK-së, me një aeroplan special, kanë fluturuar po kështu nga Prishtina, si të dyshuar për krime lufte, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kjo është vala e parë e kosovarëve që do të paraqiten në Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ky organ i akuzës, bashkë me Dhomat e Specializuara të përbëra nga gjykatës përbëjnë institucionin që në publik njihet si Gjykatë Speciale, e që është themeluar nga Kuvendi i Kosovës në gusht të 2015-s, nëpërmjet një amendamenti kushtetues dhe një ligji.

Specialja formalisht është pjesë e sistemit kosovar të drejtësisë, por është e vendosur në Hagë të Holandës dhe është e përbërë vetëm nga gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë. Ajo e ka në juridiksion të trajtojë krimet e pretenduara në raportin me titull “Trajtimi çnjerëzor i personave dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”, e të cilin në janar të vitit 2011 e ka miratuar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Raporti bën përgjegjës të krimeve shumë pjesëtarë të UÇK-së, funksione me peshë në të cilën kishin edhe tre liderët e tashëm shtetërorë, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli e kryeministri Ramush Haradinaj.

Në raport, Thaçi e Veseli identifikohen si përgjegjës për disa nga krimet. Por mbështetur në informacionet e deritashme, asnjëri nga ta nuk është intervistuar dhe as nuk është ftuar në Hagë për t’u përballur me pyetjet e prokurorëve.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme