Arbëri

Grafitin shishe Sveçla e quan kërcënim politik

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla në Interaktiv të KTV-së ka thënë se grafiti shishe që është bërë në sheshet e Prishtinës është një kërcënim i qartë politik.

Ai thotë se vetëm një grup psikopatësh do të mund të bënin një gjë të tillë, duke mos menduar fare për dhimbjen e familjes së Astrit Deharit.

“T’iu them të drejtën të gjithë ata që e kanë njohur Astritin janë shqetësuar tejmase nga një grafitë që ka shërbyer për të kërcënuar aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo shishe ka shkaktuar asfiksinë. Lidhja është e qartë dhe jemi shqetësuar pasi vetëm një grup psikopatësh mund të bëjnë një gjë të tillë ku injorohet fare dhimbja e familjes”, ka thënë Sveçla.

Ai ka shtuar se nuk e dinë se kush i ka bërë këto grafite, megjithatë kërkon hetim.

“Nuk e dimë se kush janë ata, kërkojmë me ngulm që të hetojnë se kush janë. Është e mundur të gjenden, dhe dihet që në qendër ka shumë kamera dhe është detyrë e hetuesisë ta zbulojë rastin. Ky është një mesazh i qartë kërcënues. Nëse Policia do ta gjejë, dhe nuk ka asnjë arsye tjetër përveç që është një kërcënim politik”, ka thënë ai.