Arbëri

Lluka nuk i bind minatorët ta ndërpresin grevën, e nisin edhe ata në Artanë

Trepça nuk po mund t’i shmanget krizës.

Vizita e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, nuk ka ndikuar në ndërprerjen e grevës, raporton KTV.

Ai e ka hedhur poshtë kërkesën e grevistëve për shkarkimin e bordit dhe menaxhmentit.

Por, ka thënë se ministria do të krijojë një komision të veçantë për hetime lidhur me rënien e të hyrave për 3 milion euro.

Ndërsa, për kërkesën e rritjes së pagave prej 20 përqind u ka kërkuar që të pritet miratimi në Kuvend të statutit të ri të ndërmarrjes, që pritet të ndodhë brenda muajit.

Por, kërkesat sociale, u është thënë se janë duke u trajtuar dhe do të përfshihen në një ligj të veçantë.

Mirëpo, sërish, sindikata ka vendosur për vazhdimin e grevës.

Përveç Stantërgut, grevës i është bashkuar edhe Miniera e Artanës, duke pezulluar punën në total afër 1000 punëtorë.

Rroga më e ulët në Trepçë është 611 euro, derisa më e larta 1800 euro.

Në total, shpenzimet vjetore të ndërmarrjes janë rreth 14 milion euro. Ndërsa, në vitin 2018, kishte arritur prodhim në vlerë të 10 milion eurove duke mos arritur t’i mbulojë as shpenzimet e veta.