Arbëri

Bosnja i reagon ashpër Bërnabiqit: Pse mendon se loja e sotme me kufij s’do të kishte rezultatet e viteve të ’90-ta

Foto: direktno.hr

Anëtari kroat i presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Zhelko Komshiq, ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, e cila, duke folur për heqjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, ka thënë se “qartazi, kufijtë janë në tavolinë dhe tani për dikë (Kosovën e Shqipërinë) lejohet, ndërsa për Republikën Serbe jo”.

Komshiqi tha se kufijtë e Bosnje e Hercegovinës assesi nuk mund të vihen në pikëpyetje, pavarësisht se çfarë ndodhë mes kufijve të Kosovës e Shqipërisë.

Ka shtuar se zyrtarë shtetërorë në Serbi nuk duhet të mendojnë se duke e duke e destabilizuar Bosnjën dhe duke eksportuar problemet e tyre, do të forcojnë pozicionin e tyre negociues.

“Përse mendojnë se politika e viteve të ’90-ta do të jepte rezultate tjera sot? Për çfarë arsye me deklarata të tilla e fusin shtetin në konflikte të panevojshme verbale me BeH-në? Në vend të të orientohen kah bashkëpunimi, integrimi euro-atlantik e stabilizimi i rajonit, ata tentojnë të tërheqin paralele të mjegullta mes pjesëve të BeH-së e Kosovës”, ka thënë ai, raporton mediumi boshnjak “Avaz”.

“A janë, kryeministrja serbe Bërnabiq dhe ministri i Punëve të Brendshme, Stefanoviq, i cili flet po ashtu si Bërnabiqi, të sigurt se pas deklaratave të këtilla i kanë sjellë përfitime vet Serbisë, apo i kanë bërë dëm edhe Serbisë edhe marrëdhënieve në përgjithësi rajonale?”, pyeti Komshiqi, transmeton Koha.net.

Ai tha se sovraniteti, integriteti, e në veçanti kufijtë e Bosnje e Hercegovinës, janë të padiskutueshëm dhe se, sipas tij, “çfarëdo relativizimi i çdo prerogative shtetërore të Bosnje dhe Hercegovinës është më së paku e pahijshme, për të mos përdorur ndonjë fjalë më të rëndë”.

“Çdo individ i pakënaqur nga fqinjët apo rajoni duhet ta ketë të qartë se BeH-ja është një fakt i padiskutueshëm dhe sa më parë që e kuptojnë dhe e pranojnë këtë, do të jenë shumë më të mençur dhe më të dobishëm për vendin e tyre. Prandaj, u bëj thirrje zyrtarëve serbë të ndalojnë tërheqjen e këtyre paraleleve të pamundura. Çdo deklaratë e ardhshme ‘çka nëse’ dhe ‘si nuk mundet në rastin e BeH’ nuk do të kontribuojë në marrëdhënie më të mira midis dy vendeve”, deklaroi anëtari kroat i presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Komshiq.

Ai i tha Bërnabiqit se “Bosnja nuk ndërhyn në raportet tuaja me Kosovën e Shqipërinë”, prandaj, në marrëdhëniet e ardhshme, “dëshirojmë që të ndaloni së luajturi me Bosnjën e Hercegovinën”.