Arbëri

“Serbia të veprojë që veriu i Kosovës të mos mbetet nën Shqipërinë e madhe”

Foto: Koha

Në Beograd ka rënë alarmi kundër, siç shkruan gazeta “veçernje novosti”, rrezikut të krijimit të Shqipërisë së madhe.

Ky rrezik, sipas kësaj gazete, ka filluar me vendimin Prishtinës e të Tiranës që deri në muajin mars të këtij viti t’i fshijnë tërësisht kufijtë ndërmjet tyre, transmeton Koha.net.

Analisti politik Dragomir Angjelkoviq lidhur me këtë i ka thënë gazetës se “kjo sjellje kërkon reagimin jo vetëm të BE-së, por edhe të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Ai mendon se Serbia duhet t’i kundërvihet këtij veprimi ashtu që në veri të Kosovës t’i instalojë institucionet e veta dhe t’i ndihmojë popullit të vet serb që të organizohet për vetëmbrojte në mënyrë që këto pjesë nesër të mos bien nën pushtetin e Shqipërisë së madhe.

“Shqipëria e madhe nuk e ka brengosur Bashkimin Evropian, prej nga nuk ka as dhe një reagim ndaj aspiratave shqiptare, të cilat mund ta trandin gjithë rajonin” ankohet dhe parashikon gazeta, transmeton Koha.net.

“Në Bruksel nuk është dhënë alarmi as pas vërejtjes së presidentit Aleksandar Vuçiq se plani i Prishtinës është që tërë bashkësinë ndërkombëtare ta vërë para aktit të kryer: Që së pari t’i heqin kufijtë ndërmjet Kosovës e Shqipërisë e pastaj t’i suspendojnë taksat ndaj mallrave serbe e të thonë se janë të gatshëm të bisedojnë por prej një pozicioni tjetër”, thotë ndër tëtp tjera gazeta.