Arbëri

Mustafa: LDK-ja ka zgjidhje për Dialogun - mbështesim taksën 100% ndaj Serbisë

Foto: Koha

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, tha se institucionet e Kosovës nuk mund të kryejnë procesin e dialogut, pasi që duhet të jetë një pajtueshmëri më e gjerë e forcave politike në Kosovë.

“Duhet të ketë kyçje të forcave politike, qoftë të drejtpërdrejtë apo përmes mandatit që ato kanë marrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, shoqëria civile e të tjerë në mënyrë që dialogu të përfundojë me sukses. Për neve zgjidhja më e mirë është që të shkohet në zgjedhje shpejt, që të bëhet mandatimi për dialog përmes zgjedhjeve dhe të t’i jepet besimi partive politike dhe që pastaj të gjithë të kyçen, edhe LDK-ja ta gjejë pastaj vendin e vet”, tha Mustafa të shtunën në një intervistë për televizionin publik.

LDK nuk pajtohet të diskutojë për territorin e Kosovës

Sipas tij, në qoftë se LDK do të kishte qenë në qeveri ose të drejtonte qeverinë, atëherë ata do të merrnin përgjegjësinë edhe dialogun, gjithsesi duke e pasur parasysh që në asnjë rast të mos e shkelin institucionin e presidentit në procesin e përfaqësimit të vendit jashtë.

“Ne kemi thënë që dialogun duhet ta zhvillojë qeveria e cila zhvillon negociata, edhe me ligj e kushtetutë presidenti përfaqëson vendin jashtë. Duhet ta kemi të qartë se çfarë duhet të bisedat e çfarë jo. Ne e kemi shtruar publikisht si LDK, se nuk pajtohemi të diskutojmë për territorin e vendit, për kufijtë e saj, ose për autonomi brenda vendit, e cila për një pjesë të popullatës do t’i jepet organizim brenda vendit që do të krijohet pushtet të tretë, ose kompetencë ekzekutive, pushteti do të bëhet funksional. Ne e kemi përshëndetur edhe letrën e presidentit Trump. Ne asnjë rast nuk kemi thënë që nuk duhet të ketë dialog. Kjo qeveri nuk e ka shumicën, ne nuk pengojmë që dialogu nuk duhet të zhvillohet. Kjo shumicë nuk e ka shumicë. Si do të trajtojë LDK-ja, marrëveshjen përfundimtare kjo mbetet të shihet”, tha Mustafa.

Sipas tij dialogu duhet të jetë me ato që janë pritjet e qytetarëve të Kosovës. “Ne nuk kemi informata për marrëveshjen finale. Nuk dot ketë demarkacion, nëse nuk ka shënim të vijës kufitare, demarkacioni bëhet në kohën e vet. Nuk mund të kryhet marrëveshje për dy ose tre muaj. Unë dyshoj se mund të ketë marrëveshje, ajo mund të kryhet vetëm nëse është marrëveshja e gatshme, për të cilin ne nuk kemi informacion. ”, tha Mustafa.

Mustafa: Duhet të ketë riformatim të dialogut ose zgjedhje të reja

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, vlerësoi se duhet të ketë zgjedhje të reja nacionale. “Duhet të ketë riformatim të dialogut, nuk mund të ketë Dialog nëse nuk ka gjithëpërfshirje, ose nuk ka transparencë ndaj subjekteve kryesore politike brenda vendit, kështu si është, unë dyshoj se dialogu do të jetë i suksesshëm”, tha Mustafa.

Sipas tij, riformatimi i Dialogut duhet të bëhet përmes zgjedhjeve të reja, ose përmes një organizmi radikal, që do të thotë një përfaqësim krejt tjetër në procesin e Dialogut. “Ne për atë mund të japim propozimet tona, edhe idetë tona, por kështu si është që do të thotë që ne të jemi ‘bishti’, nuk do të bëhemi pjesë e tij”, tha ai.

Mustafa vlerësoi se taksa 100% e Qeverisë së Kosovës ndaj mallrave serbe ka pasur vend. “Çdo gjë, çdo vendim ndaj Serbisë, është i arsyeshëm, ajo po bën propagandë të ndyrë kundër pavarësisë Kosovës, ajo na ka shkaktuar pengesa për Interpol, ne kemi nënshkruar marrëveshje me Serbinë, jo vetëm njëherë, por dy herë, siç është ajo e energjisë”, tha Mustafa.