RTK-ja gjobitet, ia zbuloi gjendjen shëndetësore Gani Gecit

Luljeta Beselica Luljeta Beselica 28 December 2018 21:57

Me 5 mijë euro gjobë është dënuar Radiotelevizioni i Kosovës, nga Komisioni i Pavarur për Media.

KPM-ja ka konstatuar se Televizioni Publik ka bërë shkelje të të drejtave individuale sipas Kodit të etikës, pasi ka publikuar të dhëna rreth gjendjes shëndetësore të Gani Gecit.

Avokati i Gecit, Nasuf Hasani, ka thënë se ky vendim është i drejtë, pasi sipas tij, RTK-ja ka publikuar raporte personale në lidhje me gjendjen e tij psikike, pa lejen e tij, raporton KTV.

Hasani ka shtuar se pas ankesës që kanë bërë në KPM, ata do të padisin televizionin dhe do të kërkojnë kompensim të dëmit pasi është dëmtuar klienti i tij.

Në vendimin e KPM-së, thuhet se bazuar në Kodin e etikës, komisioni ka gjetur se RTK-ja ka publikuar të dhëna të ndjeshme, përkatësisht pjesë të raportit mjekësor të Institutit të Psikiatrisë Forenzike të siguruar nga gjykatat kosovare, rreth gjendjes psikiatrike shëndetësore të palës ankuese.

Bazuar në vendimin e KPM-së, RTK-ja ka të drejtë ankese brenda afatit 30 ditor, porse ankesa duhet të përcillet me dokumente ose dëshmi, në të kundërtën thuhet se nuk do të merren parasysh.

Në ndërkohë është përgjigjur në interesimin e Kohavisionit, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala.

“RTK sot e ka marrë një vendim të KPM-së për këtë rast dhe zyra ligjore është duke e shqyrtuar mundësinë për ankesë në Bordin e Ankesave të KPM-së”, ka thënë Shala.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme