Arbëri

Familja Demaj në Istog priti qytetarë nga i gjithë vendi, dëshmitarët flasin për vrasjen e dyfishtë

Shukri Ramqaj të premten ka qëndruar për disa orë në rrugën “Fadil Ferati” në Istog, aty ku pasditen e së enjtes ka qenë dëshmitar i dy vrasjeve si pasojë e grabitjes që ka ndodhur në qendër të Istogut.

Ai ka rrëfyer për KTV-në, momentin e aksionit të policisë kundër tentim-grabitjes.

Ai thotë të ketë përjetuar tronditje nga gjithçka që ka parë në momentin sa po kalonte rrugën afër vendit të ngjarjes.

Të premten, një ditë pas ngjarjes tragjike, Istogu ka rënë në qetësi.

Shumë qytetarë të shqetësuar me atë që ndodhi, u mblodhën sërish pranë vendit të ngjarjes.

Pikërisht në vendin ku ka ndodhur tentim grabitja në qendër të Istogut, po qëndron e mbyllur rruga ‘Fadil Ferati’, në të cilën forca të shtuara të Policisë bashkë me prokurorët e rastit janë duke mbledhur dëshmitë e fundit për të çuar në zbardhjen e rastit. Qytetarët thonë se janë të shqetësuar me këtë ngjarje, për çka kërkojnë që sa me shpejtë institucionet e vendit ta zbardhin rastin dhe të punojnë më shumë në raste të tilla. Ata kanë thënë se skena të tilla nuk kanë parë asnjëherë.

Në gjendje të rëndë janë anëtarët e familjes së policit Izet Demaj, të cilët po presin njerëz nga gjithë vendi që u shkojnë për ngushëllime.

Familjen e ngushëlloi kryeministri, i cili nga Prishtina erdhi me një grup të madh qytetarësh.

Ai tha se polici Demaj është shembull, ndërsa premtoi edhe këtu se së shpejti do të përmirësohen kushtet e punës së policëve.

Kryeministri ia dhuroi dy flamuj familjes. Ky veprim emocionoi ata.

Varrimi i policit Izet Demaj, me nderime të larta shtetërore, do të bëhet të shtunën në Koshare.

Ndërkohë, policia ka arrestuar dy persona të dyshuar, të cilët kanë mundur ta ndihmojnë grabitësin në kryerjen e veprës kriminale. Ndër të arrestuarit, është edhe vëllai i grabitësit Kamer Metaj.

Ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe marrja e provave ka vazhduar edhe të premten nga policia.