Arbëri

Taksa ‘ngrin’ dialogun

Foto: Koha

Qeveria e Kosovës ka ashpërsuar masat ndaj produkteve që vijnë nga Serbia, pavarësisht kërkesave të autoriteteve serbe dhe të zyrtarëve të Bashkimit Evropian që taksa prej 100 për qind për produktet serbe të hiqet, në mënyrë që të krijohet klimë më e mirë për vazhdimin e dialogut të Brukselit.

Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur që taksa prej 100 për qind të vlejë edhe për brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe të cilat ishin brenda një liste, të cilën Qeveria e Kosovës e kishte liruar nga masa e taksës.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës do të nisë të zbatohet që nga 1 janari i vitit 2019.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian, më herët, kanë kritikuar Kosovën duke thënë se tarifa doganore e vendosur ndaj mallrave serbe, përveç që e shkel Marrëveshjen për tregti të lirë, ajo paraqitet edhe pengesë për rinisjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovë-Serbi.

Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ditën e premte, ka thënë se tashmë i kanë shpjeguar arsyet për vendimin e taksës përmes letrave zyrtare, në të cilat janë dhënë të gjitha argumentet. Sipas tij, argumentet e tilla nuk janë hedhur poshtë nga askush dhe kërkesa e Bashkimit Evropian për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, siç ka thënë ai, është kërkesë e pastër politike.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë