Nis takimi i Veselit me dialoguesit Foto: Koha

Ahmeti: Më 8 janar jemi në Bruksel, pa Thaçin

26 December 2018 10:22
11:38

Kryeparlamentari Kadri Veseli, pas takimit me ekipin shtetëror për dialog me Serbinë, ka thënë se takimi ishte i mirë dhe se i tërë procesi do të jetë transparent.

“Kosova ka njerëz të që i dalin zot vendit për marrjen e vendimeve. Synimi është i qartë pse shkojmë në dialog - për të na njohur Serbia, për ta marrë ulësen në OKB. Që nesër kemi ftuar anëtarët e QUINT-it dhe shefen e BE-së që t’i njoftojmë për këtë proces”, tha Veseli në një konferencë për media.

Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se vlerëson iniciativën për takim dhe për, siç tha ai, një angazhim shtesë të një koordinimi më të mirë.

“Qëllimi ynë është njohja nga Serbia, anëtarësimi në OKB. Është një thirrje për hezituesit të këtij procesi që t’i bashkohen dhe të marrin përgjegjësi. Procesi është i udhëhequr nga BE-ja. Unë do ta mbështesë ekipin negociator”, theksoi Thaçi.

Shpend Ahmeti, bashkëkryesues i delegacionit shtetëror për dialog me Serbinë, ka thënë pas takimit se delegacioni më 8 janar do të zhvillojë takimin e parë në Bruksel.

“Më 8 janar do të kemi takim në Bruksel me lehtësuesit e procesit të dialogut për të diskutuar mbi ecurinë e procesit të dialogut”, tha Ahmeti.

"LDK dhe VV i kanë dy vende të rezervuara në delegacionin shtetëror, dhe ne do t’u dërgojmë vazhdimisht thirrje për të marrë pjesë në takime".

“Unë nuk e di që kanë qëndrime të ndryshme. Mirë është që të kemi një zë që ta çojmë procesin përpara”, theksoi ai, raporton Koha.net.

“Edhe kryeministri edhe presidenti thanë se jemi në mbështetje të delegacionit shtetëror”, u shpreh Ahmeti.

“Delegacioni shtetëror ka Rezolutë që ia përcakton mandatin këtij Delegacioni. Ne kemi Kushtetutë, s’mund t’i ikim. Nëse flasim për shkëmbime territoresh, atëherë ne e kemi Kushtetutën”, theksoi bashkëkryesuesi i Delegacionit shtetëror.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj, shkurtimisht tha: “I përkrahi krejt çka thanë”, duke potencuar se shkëmbimin e territoreve nuk e pranojmë.

Veseli më tej tha se takimi ka shkuar shumë mirë, dhe çdo gjë gjatë këtij procesi do të jetë transparente dhe nga ky proces Kosova do të dalë fitimtare.

“LDK e VV të mos na shikojnë neve si faktorë politikë, ata duhet vetëm ta duan Kosovën”, tha Veseli. “Duhet t’i tregojmë Vuçiqit se s’mundet të flasë në emrin tonë, t’i tregojmë se nuk është njeri i moderuar”.

10:50

Veseli fton LDK-në e VV-në të marrin përgjegjësitë në Dialog

Kryeparlamentari Veseli tha në hapje të takimit se “Kuvendi i Kosovës do të jetë gjithmonë vendi i unitetit për vendimet e shtetit të Kosovës”.

Ai tha se institucioni që drejton do të jetë në mbështetje të plotë të punës së ekipit shtetëror në dialog ndërsa ftoi sërish LDK-në dhe VV-në që të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të bëhen pjesë e procesit të dialogut i cili do t’i sigurojë Kosovës njohjen nga Serbia, ulësen në OKB dhe përshpejtim në anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO.

Në ndërkohë, në takim ka ardhur edhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

10:22

Nis takimi i Veselit me dialoguesit

Ka nisur takimi i thirrur nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, siç është thënë, për t’u koordinuar për dialogun Kosovë-Serbi.

Në këtë takim po marrin pjesë presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa, nga ekipi negociator janë Shpend Ahmeti, Enver Hoxhaj, Avni Arifi, Dardan Gashi, raporton “Koha Ditore”.

Në këtë takim nuk po marrinë pjesë LDK-ja dhe Vetëvendosje, ndonëse ftesa është dërguar edhe për ta.

Pjesë e këtij takimi nuk është as Fatmir Limaj. /Kushtrim Kadriu

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme