Arbëri

Azilkërkuesi nga Kosova pretendon se u rrah nga policia gjermane

Fatmir Musa nga Samadrexha e Vushtrisë, në vitin 2014, bashkë me familjen kishte marrë rrugën në mënyrë ilegale për të kërkuar një jetë më të mirë në Evropë.

Pas shumë vështirësive, ai merr azil dhe përkujdesje nga shteti gjerman, në të cilin qëndroi plot 4 vjet.

30 nëntori i vitit 2018 e gjeti atë në Kosovë.

Ai thotë se telashet me shtetin gjerman iu kthyen në makth, në momentin kur atij iu kërkua që të riatdhesohet në Kosovë.

E, procesin e kthimit, Musa e përjetoi në një mënyrë ndryshe, duke u përballur, siç thotë ai, me tortura nga policia gjermane.

Dhunën që Musa pretendon se e ka përjetuar nga policia gjermane, e ka rrëfyer për KTV-në, madje këtë ai e dëshmon përmes fotografive.

Ai akuzon shtetin gjerman se e ka mashtruar për t’u kthyer në Kosovë, duke i premtuar atij siguri dhe vend pune në vendlindje.

Musa thotë se nuk ka më arsye për të jetuar në Kosovë, pasi që çdo gjë është e pashpresë për të në vend.

Ai thotë se në mundësinë e parë, sërish do të tentojë të ikë jashtë vendit, qoftë edhe duke rrezikuar në mënyrë ilegale.

Ai shprehet se shteti kosovar i ka premtuar pagesën e qirasë vetëm për dy muaj.

Musa është shprehur se në Kosovë nuk ka gjetur kurrfarë përkrahje nga shteti, për çka rrezikohet të mbesë edhe pa shtëpi.

Por, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, as pas një jave nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Kohavisionit në lidhje me rastin.