Bisedat e Molliqajt me pushtetin dhe “pazaret” për votimin e Buxhetit

Urim Isma Urim Isma 22 December 2018 19:09

Kërkesa për realizimin e premtimit të dhënë, nga deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, për ta votuar projektbuxhetin për vitin 2019, dhënë Pal Lekajt dhe Bilall Sherifit, ka nxitur reagime të shumta.

Kjo kërkesë iu bë Molliqajt, të premten gjatë seancës, para se të votohej projektbuxheti, raporton KTV.

Ky i fundit ia konfirmonte se do ta votojnë projektbuxhetin.

KosovaPressi ka arritur të incizojë këto biseda të cilat zhvilloheshin në mes Dardan Molliqajt, Pal Lekajt e Bilall Sherifit.

Biseda kishte edhe në mes të grupit të Partisë Social-demokratike, ku kryetari Shpend Ahmeti u tregonte se çka të flasin.

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi e ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, shkëmbenin mesazhe në telefon me Molliqajn, duke u dakorduar kështu për votimin e projektligjit për buxhet.

“A jeni marrë vesh për buxhet? Jo. D.m.th nuk kalon”, i thoshte Bilall Sherifi deputetit Dardan Molliqajt. Sherifi më vonë e pyeste sërish Molliqajn nëse është kryer, ndërsa ky i fundit i thotë ‘po’’.

Dardanit i shkruante edhe ministri Pal Lekaj, duke i kërkuar që ta mbajë premtimin.

“Dardan, duhet të takohemi. Premtimin që e ke dhënë duhet ta respektosh, duhet të jeni prezentë”, i shkruante Molliqajt, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

“Pasi të votohet”, vazhdonte me përgjigje Molliqaj.

Derisa flisnin në grupin e PSD-së, Shpend Ahmeti, i pyeste deputetët se a po kërkojnë kuorum apo edhe votat për projektligjin.

Kurse, Dardan Sejdiu i thoshte se VV-ja dhe LDK-ja janë mobilizuar dhe PSD-ja duhet votuar për, përndryshe bie.

Kurse, Shpend Ahmeti vazhdonte t’i shkruante në grup, Dardan Sejdiu.

Molliqaj vazhdoi bisedën edhe me deputetin Frashër Krasniqin, duke e pyetur se pse është larguar nga grupi i PSD-së.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Dardan Molliqajt, pas publikimit në media të bisedave të tij me deputetët e tjerë.

Ai ka thënë se nuk ka asgjë sekrete në ato biseda dhe plotësimin e kërkesës së Lekajt dhe Sherifit e ka bërë vetëm, pasi që është siguruar në plotësimin e kushteve të tyre.

Edhe deputeti Frashër Krasniqi, përmes një reagimi, ka thënë se nuk ka pasur lidhje të drejtpërdrejtë në bisedë.

Akuza të rënda drejtuar PSD-së kanë ardhur nga deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se është fat që ‘të ikurit’ nga VV-ja nuk janë pjesë e tyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme