Arbëri

Kirurgët në QKUK s’e ndalin grevën edhe pa miratim të Sindikatës, duan rritje pagash

Grevën 24-orëshe të nisur këtë të hënë në spitalet e QKUK-së, e kanë vazhduar mjekët kirurgë kokë në vete.

Pa miratimin e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, përmes disa këshillave të formuar, kirurgët e disa klinikave të QKUK-së, përmes nënshkrimeve, kanë vazhduar ta bojkotojnë punën në këtë institucion, raporton KTV.

Ambulancat Specialistike të Kirurgjisë këtë të enjte nuk kanë ofruar asnjë shërbim ambulator për pacientët, duke vazhduar kështu grevën e nisur ditë më parë me të vetmen kërkesë, rritjen e pagave të mjekëve.

Gjendje e njëjtë ka qenë në edhe në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale, drejtori i së cilës, Rifat Bajrami, ka konfirmuar se greva e mjekëve po vazhdon.

Grevë ka pasur edhe në Kirurgjinë e Fëmijëve, atë Torakale, Vaskulare , Urologjike, Plastike, ORL-së, Ortopedike, Anestezionit, Neurokirurgjisë.

Drejtori i klinikës së Syve, Florim Zejnullahu, ka thënë se një pjesë e stafit është në grevë, ndërsa pjesa tjetër ka vazhduar punën.

Ndërsa, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, përmes një njoftimi për media, ua ka tërhequr vërejtjen mjekëve.

“Zyra e drejtorit të SHSKUK-së njofton se zyrtarisht kishte grevë vetëm 24 orë, organizuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë, bazuar në legjislacionin në fuqi për organizim sindikal. Çdo formë tjetër është e jashtëligjshme dhe menaxhmenti kërkon që punëtorët shëndetësorë të mos bien pre e provokimeve të tilla nga ana e individëve që kanë qëllim të krijojnë anarki”, thuhet në përgjigjen nga Zyra e drejtorit të SHSKUK-së.

E, ndonëse që nga orët e mëngjesit Federata Sindikale ka nisur mbledhjen e Këshillit, ku pritej të dilte me një vendim për të vazhduar ose jo grevën e nisur, gjatë gjithë ditës kjo federatë nuk ka dalë me ndonjë qëndrim.

Një ditë më parë, përfaqësuesit sindikalë paralajmëruan masa radikale, madje edhe mosdhënie të ndihmës mjekësore në rast se qeveria nuk merr parasysh kërkesat e tyre për rritje të pagave.