Arbëri

Dy orë debate për skandalet në Polici

Për skandalet në Policinë e Kosovës dhe për shumë çështje të tjera që lidhen me këtë institucion të sigurisë, para Komisionit për Punë të Brendshme kanë raportuar për dy orë të tëra, ministri Ekrem Mustafa, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj.

Pjesëtarëve të policisë së Kosovës u është ndaluar qëndrimi në kafene dhe shkuarja në xhami gjatë orarit të punës.

Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, i cili bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka raportuar para Komisionit për Punë të Brendshme, ka thënë se orari i punës po respektohet me përpikëri, raporton KTV.

Qalaj ka bërë të ditur se Policisë i janë shtuar 107 pjesëtarë të intervenimit të shpejtë, ndërsa po planifikon që ta dyfishojë numrin e pjesëtarëve të Njësisë speciale.

Ai ka folur edhe për policët e sëmurë rëndë, e të cilët vazhdojnë punën në këtë institucion të sigurisë.

Ndërsa, ministri i Brendshëm, Ekrem Mustafa, ka thënë se objektiv i ministrisë që drejton është luftimi i dukurive negative.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, u ka kërkuar të dy këtyre zyrtarëve të lartë të sigurisë që të mos lejojnë më skandale sikurse vjedhja në dhomën e dëshmive, suspendimi i policëve që dhanë informata për djalin e Shpend Maxhunit etj.

Drejtori i Policisë e ka pranuar se polici Afrim Karaxha është suspenduar për faktin që, sipas tij, ka bërë shkelje duke hyrë në sistemin e të dhënave pa pasur autorizim.

Gjatë mbledhjes së këtij komisioni , ministri i Brendshëm, ka thënë se është duke punuar intensivisht edhe për zgjidhjen e problemeve për zjarrfikësit.