Arbëri

Krejt çfarë u tha sot rreth (ç)njohjeve të Kosovës

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, pranon atë që kishte raportuar KTV-ja më parë, se Ishujt Solmon kanë tërhequr njohjen, edhe pse një gjë të tillë e kishte kundërshtuar ashpër, raporton KTV .

Ai është paraqitur në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme pas disa thirrjeve të refuzuara, derisa ka pranuar para deputetëve se ishte në Kosovë në ditën kur Kuvendi debatoi për njohjet, por nuk shkoi atje se ishte “nervoz”. Për Ministrin e Jashtëm, Serbia e fitoi luftën në Interpol, pasi joshi delegatët e shteteve anëtare me gra të bukura.

Para se në Kuvend të arrinin edhe vetë deputetët e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, ka ardhur ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, i cili kishte refuzuar disa thirrje të njëpasnjëshme për një raportim të tillë.


Ai ka thënë se gjithnjë vjen para Komisionit, derisa u ka kërkuar falje pse s’është paraqitur herët e kaluara para këtij Komisioni, duke thënë se mosardhja e tij nuk ndërlidhet me ikjen nga përgjegjësia.

Ai ka thënë se udhëtimet e shumta e kanë pamundësuar atë, duke u thënë atyre se distanca ‘larg syve, larg zemrës’ ka ndikuar në ftohjen e raporteve mes tyre.
 

E, pavarësisht faktit që ishte në Kosovë në ditën kur Parlamenti ka diskutuar për dështimin në diplomacinë kosovare, ai nuk është paraqitur aty, pasi ka thënë se ka qenë nervoz.

Derisa, ka sqaruar para Komisionit për secilin shtet veç e veç rreth dyshimeve për tërheqjen e njohjeve të cilat i ka kundërshtuar.

Por, për herën e parë, Pacolli ka pranuar lajmin se ishujt Solmon kanë dërguar letër për tërheqjen e njohjes së shtetësisë, por, sipas tij, SHBA-ja ka njoftuar se edhe kjo tërheqje e njohjes është tërhequr.

Këtë lajm për të cilin kishte raportuar KTV-ja, Pacolli e kishte quajtur fushatë të egër dhe e ardhur nga propaganda serbe.

Ministri i Jashtëm, Pacolli, thotë se Kosova, prej shtatorit të vitit të kaluar, ka harxhuar më pak se 3 milionë euro për lobim, në krahasim me 30 milionë euro që ka shpenzuar Serbia vetëm për këtë çështje dhe ka insistuar në atë se Kosova nuk ofron çanta me para në emër të së drejtës së fituar me luftë.

Dhe, kur erdhi radha e dështimit të Interpolit, zëvendëskryeministri Pacolli ka folur zi e terr ndaj lobistëve serbë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Ai ka pranuar se është tradhtuar nga disa shtete, derisa u është përgjigjur anëtarëve të Komisionit për sigurinë që kishte se Kosova do të bëhet pjesë e policisë ndërkombëtare.

Por, shpjegimi i tij për gratë e bukura të përdorura nga Serbia dhe për shtetet afrikane, i bërë në një mënyrë të veçantë, vuri në siklet zëvendësen e tij dhe vetë kryetaren e Komisionit, Vjosa Osmanin.

Paraprakisht, Pacolli kishte kërkuar nga Komisioni që çështja e Interpolit të mbahet me dyer të mbyllura.

Ministri ka thënë se ai nuk flet për Interpolin në prani të medieve. “Nuk e ndjej obligim të flas këtu”, ka thënë Pacolli, i cili ka shtuar se do ta dërgojë raportin në formë konfidenciale për komisionin, raportin për lobimin e Interpolit dhe atë për njohjet.