Arbëri

Çfarë i ka shkruar Donald Trumpi Hashim Thaçit

Descriptive Text

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka shkruar letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, raporton KTV.

Trumpi i ka thënë Thaçit se është momenti unik, për të përfituar në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Zgjidhje e tanishme e situatës ose bllokim për edhe një kohë të gjatë.

Këto janë dy rrugët e vetme aktualisht, të cilat presidenti i Amerikës, Donald Trump, ia ka treguar presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, në raport me Serbinë.

Nëpërmjet një letre, Trumpi ka thënë se i mirëpret përpjekjet aktuale të Thaçit për pajtim me Serbinë.

Ishte kënaqësi të flisja me Ju në Paris gjatë shënimit të Ditës së Armëpushimit. Kosova është një partner vendimtar në përpjekjet tona për të garantuar paqen dhe stabilitetin për të gjithë Evropën. Unë i mirëpres përpjekjet tuaja aktuale për pajtim me Serbinë. Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë. Unë ju nxis Ju dhe liderët e Kosovës, që ta shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe dhe të përmbaheni nga veprimet të cilat mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes.

Trumpi ka përmendur investimet amerikane për suksesin e Kosovës, si shtet i pavarur e sovran.

Ka thënë se një takim midis tij, Thaçit e Vuçiqit në Shtëpinë e Bardhë, është i mirëpritur.

Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran. Ne duam që vendi juaj të vazhdojë të zhvillohet. Ne jemi të gatshëm që t’ju ndihmojmë në përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Një marrëveshje e tillë është e arritshme. Unë pres që në Shtëpinë e Bardhë t’ju mirëpres Ju dhe Presidentin Aleksandar Vuçiq, për të festuar atë që do të jetë një marrëveshje historike.

Ambasadori i Francës në Kosovë në një intervistë në Interaktiv, ka thënë se përkrahin çdo marrëveshje që vjen si pajtim midis dy palëve.

Dhe se çdo marrëveshje e tillë, do të jetë një situatë më të dyja palët fitues.

“Ajo çfarë ne mbështesim është një marrëveshje. Marrëveshje e cila do të vinte nga të dyja palët në përfundim të dialogut, e që më pas, Kosova do ta ratifikonte nga 2/3-at në Parlament. Mendoj se çdo marrëveshje që përmbush kushtet për t’u nënshkruar nga përfaqësuesit kosovarë dhe ata serbë, e që më pas do të merrte 2/3-at për ratifikim në Parlament, do të ishte e pranueshme për Francën”.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në një tryezë-diskutimi të zhvilluar të martën, deklaruan se platforma për dialogun do të bëhet në konsultim me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe me qytetarët e vendit.