Kurti: Votimi i së shtunës në Kuvend rikthen pazaret e Thaçit me Serbinë në kurriz të Kosovës Foto: Ilustrim

Kurti: Votimi i së shtunës në Kuvend rikthen pazaret e Thaçit me Serbinë në kurriz të Kosovës

18 December 2018 10:44

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se votimi i së shtunës në Kuvendin e Kosovës për ekip negociator ka rikthyer pazaret e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me Serbinë në kurriz të shtetësisë së Kosovës.

Kurti ka shtuar se Thaçi me fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së iu rikthye kohës kur fliste për kompromise të dhimbshme, transmeton Koha.net.

“Të gjithë njerëzit e presidentit. Në fjalimin e tij të mbrëmshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Thaçi tregoi se ka dalë nga vetmia e madhe dimërore”, ka shkruar Kurti.

Më tutje Kurti shton se, “ai tha: ‘Në Kosovë, ne mbetemi të vendosur për paqe dhe dialog me Serbinë. Për këtë qëllim, Kuvendi i Kosovës javën e kaluar miratoi rezolutën për dialog dhe strukturën e ekipit negociator, me përfshirje pozitë-opozitë dhe shoqëri civile.” Për të vazhduar me: “Ne jemi gati për dialog. Ne jemi gati për vendime të vështira. (…) E di që nuk do të jetë aspak e lehtë. E di se marrëveshjet e kësaj natyre nuk janë shumë popullore. Por, ato janë të domosdoshme. (…) Me një marrëveshje paqësore finale Kosovë-Serbi, ligjërisht obliguese, pa kufij në baza etnike, pa shkëmbim popullatash, por me njohje reciproke si vende të pavarura e sovrane e shtete me shoqëri shumetnike’”.

‘Pra, Thaçi po i kthehet gjuhës së verës 2018, para protestës madhështore e masive të 29 shtatorit, po i kthehet kohës kur fliste për ‘kompromis të dhimbshëm’ dhe ‘korrigjim të kufijve’. Vëreni me kujdes, tash flet sërish për ‘vendime të vështira’ dhe kundërshton atë që e quan ‘shkëmbim popullatash’, por nuk flet për integritet territorial dhe nuk kundërshton shkëmbimin territorial dhe as ndarjen e Kosovës”, thotë Kurti.

Sipas Kurtit votimi i të shtunës mbrëma në Kuvendin e Kosovës mban përgjegjësi historike për rikthimin e Thaçit dhe të pazarit të tij me Serbinë në kurriz të shtetit dhe territorit të Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme