Thaçi mban të bllokuar KQZ-në, 30 asamblistë të rinj në pritje të certifikimit

Shahadije Bikliqi Dragaçina 16 dhjetor 2018 20:44

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka bllokuar vetëm punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke mos i emëruar anëtarë e rinj të saj.

Mosfunksionimi i KQZ-së ka shkaktuar një varg telashesh dhe vështirësish edhe në nivelin lokal te disa Kuvende Komunale, raporton KTV.

Një numër i konsiderueshëm i asamblistëve kohë më parë kanë paraqitur kërkesë në KQZ për dorëheqje, por meqë ky institucion nuk ka mandat, nuk ka mundur t’ua pranojë dorëheqjet e as t’i certifikojë zëvendësuesit e tyre.

Kuvendi i Lipjanit prej gati gjashtë muajsh, funksionon me dy këshilltarë më pak.

Në KQZ, tregojnë numrin e asamblistëve, të cilët janë në pritje të certifikohen.

“Mund t'ju konfirmoj se kemi rreth 30 kërkesa për zëvendësime të anëtarëve të Kuvendeve nga komuna të ndryshme të Kosovës dhe një kërkesë për zëvendësimin e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Sipas KQZ-së, për të gjitha këto vonesa dhe dështime, përgjegjësi duhet të mbajë presidenti i vendit.

KQZ-ja do të mbetet pa mandat edhe për një kohë, derisa presidenti i shtetit të tregojë se si do ta zgjidhë kontestin e ngritur nga vetë ai, për të cilin kërkoi i interpretim ligjor nga Gjykata Kushtuese.

Gjykata as pas 6 muajve nuk i ktheu përgjigje duke ia kthyer mbrapa kërkesën që të përcaktohej se si do të ndahej përfaqësimi brenda KQZ-së nga partitë në koalicion.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme