Veriorët e katër komunave shpenzuan 12.5 milionë euro rrymë, s’dihet kush paguan

Alberta Hashani 16 December 2018 19:21

Kosova po vazhdon ta marrë energjinë elektrike nga rrjeti evropian, për ta furnizuar veriun e vendit me rrymë, ani pse ky mekanizëm kishte kërcënuar me marrje të masave.

Që nga 2 dhjetori i vitit 2017 e deri tash, 12,5 milion euro është vlera që KOSTT-i ka marrë energji nga ky rrjet, raporton KTV.

Por, për këtë vlerë, KOSTT-i nuk ka paguar asnjë cent.

Kryeshefi i KOSTT-it, Ilir Shala, ka treguar për Kohavision-in se zgjidhja do të behet në bashkëpunim me palën ndërkombëtare.

Më 20 nëntor, përfaqësues të KOSTT-it janë takuar me ata të Serbisë si dhe të Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjisë Elektrike, por asnjë rezultat nuk është arritur.

I njëjti ka treguar se pala serbe ka premtuar se kompania e cila, sipas Marrëveshjes së Brukselit, është paraparë ta bëjë furnizimin dhe faturimin e komunave veriore do të aplikojë për licencë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

Por, Shala ka pohuar se pala serbe vetëm po e zvarrit procesin.

Burime të Kohavison-it kanë treguar se gjatë së enjtes, në Qeverinë e Kosovës, janë mbledhur ambasadat për të diskutuar pikërisht këtë çështje.

Por, në Zyrën e Kryeministrit e kanë mohuar këtë, duke thënë se diskutimet kanë qenë vetëm për marrëveshjen finale me Serbinë dhe nuk janë diskutuar fare problemet e energjisë.

Kohavisoni ka provuar gjatë ditës të marrë një përgjigje nga Ambasada gjermane, por kjo e fundit nuk është përgjigjur.

Ndërsa, një vendim i nxjerrë nga Këshilli Ministror i Komunitetit Energjetik, në fund të muajit nëntor, e ka obliguar Serbinë që brenda 6 muajve t’i përmbushë të gjitha obligimet ndaj Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme